Lajme

Sekuestrohen pronat e Arben Ndokës, ish-deputeti: S’kam asnjë metër!

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar të premten sekuestron e pasurive të paluajtshme të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Bëhet fjalë për prona që kapin vlerën e 40 milion eurove. Më konkretisht, janë vënë në sekuestro 300 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës. Sipërfaqet ndodhen në vendet e njohura si “Mali i Rrenzit”, Shëngjin, “Rana e Hedhun”, Laguna e Lezhës si dhe disa apartamente në plazh.

Mësohet se prokurorët e çështjes te Krimet e Rënda janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Sekuestrot janë dhënë me vendimin e gjyqtarit Bib Ndreca”, thuhet në njoftim e Krimeve të Rënda.

Arben Ndoka u arrestua nga policia në tetor të vitit 2018, gjatë operacionit të policisë “Volvo 4” së bashku me familjarë të tij.

Nga përgjimet telefonike të Prokurorisë, Arben Ndoka rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin.

Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.

Po menjëherë pas lajmeve se Prokuroria e Krimeve të Rënda i kishte sekuestruar 300 mijë metra katror tokë në bregdet dhe disa apartamente në plazhin e Shëngjinit, Arben Ndoka e mohon një gjë të tillë.

Përmes një postimi në “Facebook”, ish-deputeti socialist, deklaron se akuzat ndaj tij janë hiperbolizuar.

“Shpesh herë viteve të fundit që pas angazhimit tim në politikë, akuzat ndaj meje hiperbolizohen. Nuk e di ku janë këto prona që më paskan konfiskuar mua, kur unë nuk kam asnjë metër tokë askund, – shkruan Ndoka. – Pse nuk e dokumentoni me fakte atëherë meqënëse me papërgjegjshmërinë më të madhe postoni lajme të tilla mediokre? Prokuroria mund të sekuestrojë dhe detin Adriatik, por unë nuk kam asnjë metër tokë të sekuestruar e as të pa sekuestruar. S’ka shans as prokuroria, as portalet, as oficerët gjyqësorë profesionistë të konstatojnë prona apo firma të falsifikuara që kanë të bëjnë me mua. Akuzat ndaj meje dhe arrestimi im dihet ku e ka bazën..!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë