Në sajë të megaoperacionit “Furtuna”, Policia e Fierit ka sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur 12 milionë euro.
Policia thotë se pasuria ishte në pronësi të shtetasit Arjan Shanaj nga Fieri, i cili dyshohet se pasurinë e tij e kishte siguruar nga aktivitetet kriminale, kryesisht me shpërndarje të drogave të forta.
Siç njofton policia, ky shtetas më 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.
Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.
Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit ka nisur hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Theksojmë se aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh.
Në vitin 2014, në kuadër të procedimit penal të regjistruar më parë, shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë nga Policia, për veprën penale armëmbajtja pa leje, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri dhe një sasi fishkesh, që i mbante pa leje.
Më 18 korrik 2016, shtetasi A. Sh. u shpall në kërkim, pasi dyshohej se në bashkëpunim me shtetasin S.K., në vendin e quajtur “Ishull Lezhë”, kishte kanosur dhe goditur shtetasin A. Gj., duke konsumuar veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Kanosja”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




