Rend dhe Ligj

Sekuestrohen mbi 41 kg heroinë në Tiranë, ‘korrieri’ i arrestuar refuzon të flasë para hetuesve

Gazeta Si – Një sasi prej 41 kg e 700 gram lëndë narkotike heroinë është sekuestruar nga policia këtë të shtunë.

Gjatë operacionit “Fusha e Kuqe”, u arrestua në flagrancë shtetasi Armando Papa 31 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, me precedente të tjera penale në fushën e drogës dhe jo vetëm, i cili në këtë rast dyshohet se është “korrier” për transportin e heroinës.

Në afërsi të rrethrrotullimit të aerportit të Rinasit, policia e ndaloi për kontroll makinën ku në bagazhin e saj gjeti edhe lëndën narkotike. 

Ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër person, R.G., banues në Sukth, i cili ka qenë në një tjetër makinë gjatë momentit të ndërhyrjes për arrestimin dhe ka mundur të largohet.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjet në bagazh një kuti me 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës.

Sipas burimeve paraprake, Papa ka kyçur gojën para hetuesve gjatë dëshmisë së marrjes në pyetje. I riu nuk ka treguar asgjë mbi bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe as destinacionin për ku ishte nisur për të dërguar lëndën narkotike.

Sasia e heroinës së sekuestruar kap vlerën e mbi gjysmë milioni Euro në treg, nëse do të ishte shitur. Burime nga policia bëjnë me dije se origjina e lëndës narkotike dyshohet se ishte nga Turqia.

Për arrestimin e tij, policia thotë se ka pasur informacione të marra në rrugë operative dhe janë vënë në ndjekje të mjetit sapo e kanë lokalizuar atë. Ndjekja ka përfunduar në afërsi të rrethrrotullimit të aeroportit ku u bë ndalimi i “Benzit” në fjalë dhe sekuestrimi i sasisë së konsiderueshme të heroinës.

“Nga specialistët për hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale“, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë