Policia ka sekuestruar 3 milionë euro pasuri në qytetin e Shkodrës të 4 shqiptarëve që ushtronin aktivitet kriminal në Danimarkë.
Këta persona janë arrestuar gjatë operacionit në Danimarkë më 26 qershor 2019. Ata i përkasin një grupi të madh të strukturuar kriminal për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vendet e BE-së dhe një pjesë të parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha. Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave, me të cilët kishin lidhje miqësore.
Siç njofton policia, gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve J. K., D. E., A. D. dhe E.P., të arrestuar në Danimarkë më 26 qershor 2019, janë evidentuar një sërë pronash të tjera të këtyre personave.
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë:
Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;
10 apartamente banimi, në plazhin e Velipojës;
1 apartament banimi në Shkodër;
14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;
Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.
Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarëve të tyre.
Pronat e sekuestruara më datë 26.06.2019 dhe 29.10.2019, me vendim gjykate, i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




