Policia zbardhi në mbrëmje aksionin në Portin e Durrësit që përfundoi në sekuestrimin e një sasie të madhe valute në euro, gjithsej 498.850, ndërsa arrestoi drejtuesin e kamionit.
“Si rezultat i shtimit të kontrolleve, në hyrje, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë”, thotë policia.
Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.
Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në DVP Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa pakot e mbushura me euro u sekuestruan dhe në përfundim të numërimit nga grupi hetimor dhe i filmuar me kamera i gjithë procesi i numërimit rezultoi se në to kishte 498.850 euro.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




