Politike

Sekretet e Jurgisit, një profil i paautorizuar i deputetit të arrestuar të Durrësit

Nga Gazeta ‘Si’- Me akuza të padëgjuara ndonjëherë për një politikan shqiptar, deputeti në moshë të re i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, duket se e ka mbyllur karrierën politike me dorëzimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste dhe përballjen me drejtësinë.

Ai nuk arriti të përfundonte mandatin e dytë si deputet, për të cilin, edhe pse mbulonte një zonë të vogël të qarkut, Manëz dhe Ishëm, në zgjedhjet 2021, mblodhi rreth 6.500 vota personale.

Kur nisi rrugën politike, duke iu bashkuar Partisë Socialiste në 2013-ën, Jurgis Çyrbes, as nuk duhet t’i ketë shkuar nëpër mend një fund i tillë, i akuzuar për tregtim të sekretit shtetëror, për përkrahje të autorit të krimit, të kryer vetëm dhe në bashkëpunim, për korrupsion pasiv në zgjedhje.

Një mori akuzash, që kanë çuar nën arrest me burg ish-anëtarin e Komisionit të Ligjeve, me profesion jurist, i cili ka dijeni profesionale se shkelje të tilla të ligjit e vendosin shkelësin në pranga dhe prapa hekurave të burgut. Dhe autori i krimit që deputeti socialist ka ndihmuar nuk është dikush dosido, por Altin Hajri, njëri nga personazhet e rrezikshëm të botës së krimit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për marrjen peng dhe zhdukjen e një personi.

Duke e ndihmuar me informacione sekrete për të mos u gjetur nga policia, siç pohohet nga Prokuroria e Posaçme, Altin Hajri e ka ndihmuar Jurgis Çyrbjen të mbledhë sa më shumë vota në zgjedhjet e vitit 2021. Dhe jo vetëm kaq. Megjithëse i paangazhuar ndjeshëm në parlament, i përfshirë në procesin gjyqësor të personazhit tjetër të krimit, Emiljano Shullazi, i dalë në përgjime për komunikime me grupin e Shullazit, kur drejtonte hipotekën e Durrësit, Jurgis Çyrbja u ngjit shumë shpejt në krye të listës së deputetëve të PS për qarkun e Durrësit. Një nder politik ky, që, në të kaluarën, PS e kishte rezervuar ose për figurat e saj më të njohura politike, ose për gratë.

Një krahasim i listave të PS-së për kandidatë në Qarkun e Durrësit në vitet 2013, 2017, 2021 tregon forcën politike në rritje të juristit Jurgis Çyrbja.

Në moshën 28 vjeçare, me një përvojë modeste pune, ai përfshihet në listën e PS-së në zgjedhjet e vitit 2013, por jashtë zonës fituese, në vendin e 8-të.

Zgjedhjet e vitit 2013

Në këto zgjedhje, koalicioni i PS, mori 7 mandate, 6 prej të cilave PS dhe 1 LSI.

Por për një të ri, që ishte vetëm një jurist në komunën socialiste të Maminasit, përfshirja në listën e deputetëve ishte një fillim i mirë për t’u përfshirë në politikë. PS rezultoi fituese e zgjedhjeve dhe Jurgis Çyrbja u shpërblye me një vend pune, që konsiderohet si një ndër më të lakmueshmit në administratën e çdo kohe, kryerregjistrues në Hipotekën e Durrësit, vend të cilin e mbajti për katër vjet.

Kjo ishte koha që i shërbeu juristit të ri Çyrbja nga Shijaku për t’u lidhur me njerëzit më të pushtetshëm të Durrësit. Ata me pushtet politik dhe ata me pushtet okult, që, zakonisht, janë ose të kërkuar nga drejtësia, ose që rrinë në hije dhe luajnë fijet pa u ndier.

Kjo ishte edhe koha, kur i gjithëpushtetshëm në bashkinë dhe në qarkun e Durrësit ishte Vangjush Dako, për të cilin kryeministri Rama deklaroi publikisht miqësinë personale, edhe pasi ai u shpall non grata nga Departamenti i Shtetit. Aplikacionet SKY/ECC nuk ekzistonin në këtë kohë për të kuptuar se kush e lidhi Jurgis Çyrbjen me njerëzit që vendosnin për fatet politike të personave, por ata që e njohin nga afër thonë se një faktor me rëndësi në këtë drejtim ka qenë, Ahmet Masha, kunati i të vëllait.

Ai akuzohet për bashkëpunim me Jurgis Çyrbjen për veprat penale të tregtimit të sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit, duke informuar dhe mbrojtur të kërkuarin nga policia Altin Hajri.

Gjatë kohës së drejtimit të Hipotekës së Durrësit, ku, gjithmonë, kanë lëvizur interesa gjigande financiare, Jurgis Çyrbja, ndihmoi Emiljano Shullazin të regjistrojë në pronësinë e tij një pjesë të ish- Hotel Vollgës në Durrës. Ai dëshmoi në gjyq se nuk ishte kërcënuar nga Shullazi apo grupi i tij. Ka dokumente zyrtare që provojnë komunikimet e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit me krahun e djathtë të Emiljano Shullazit, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin për ish-Vollgën.

Por, çuditërisht, kjo çështje nuk  e dëmtoi karrierën politike të Jurgis Çyrbjes. Pas largimit nga Hipoteka e Durrësit në 2016-ën, ai u përfshi sërish në listën e deputetëve të PS-së për Qarkun e Durrësit. Shpërblimi ishte shumë i lartë. Në ndryshim nga viti 2013, Jurgis Çyrbja u vendos në zonën e sigurtë të deputetëve. Sikur Partia Socialiste të ruante vetëm rezultatin e 2013-ës, Jurgisi, në vendin e 6-të listës, e kishte mandatin e sigurtë.

Zgjedhjet e vitit 2017

Me PD-në në çadër në atë kohë, me zgjedhje ku ishin djegur afatet për koalicione parazgjedhore, PS synonte të merrte edhe një mandat të shtatë në Durrës, mandat i cili mbahej më herët nga ish-aleati, LSI.

Në vendin e shtatë u caktua Rrahman Rraja, një tjetër deputet që la mandatin në vitin 2023, pasi i biri dhe dy vëllezërit e tij ushtruan dhunë të rëndë fizike kundër dy të tjerëve. Më vonë, disa nga familjarët e afërt të deputetit socialist Rraja, u zbuluan nga bisedat në SKY/ECC si autorë të veprave të rënda penale, që nga krijimi i kushteve për vrasje deri tek trafiku ndërkombëtar i kokainës.

Është taktikë e njohur elektorale e Partisë Socialiste që në fundin e listës së sigurtë vendos persona, të cilët kanë potencial në marrjen e çdo vote. Kjo skemë u aplikua në thuajse çdo qark në vitin 2017 dhe 2021. Përshembull, në zgjedhjet e vitit 2021, Edi Rama shpalli objektivin e marrjes së 8 mandateve në qarkun e Durrësit dhe kandidati i tetë në renditje ishte vetë Edi Rama. Objektivi për tetë mandate u arrit bindshëm. Ajo që bie lehtë në sy në listën e vitit 2021 është ngjitja e Jurgis Çyrbjes nga vendi i 6-të në vendin e 3-të. E pashpjegueshme politikisht.

Zgjedhjet e vitit 2021

Dhe e panevojshme. Për nga siguria  e marrjes së mandatit, vendi i tretë ishte njësoj i sigurtë sa vendi i 6-të, që mbante në mandatin e parë. Në mandatin e tij të parë si deputet, 2017-2021, për një kohë të gjatë, Jurgisi u bë një nga shënjestrat kryesore të opozitës, e cila, pas publikimit të përgjimeve mes tij dhe krahut të djathtë të Emiljano Shullazit, i kërkoi drejtësisë arrestin e deputetit të Durrësit. Në atë kohë, Jurgis Çyrbja nuk dukej i shqetësuar.

Ai identifikohej si pjesë e klanit të Vangjush Dakos, me pushtet ende të padiskutueshëm jo vetëm në qarqet zyrtare të PS-së.

Vangjush Dako, ish-kreu i Bashkisë së Durrësit. Gazeta “Si”

Arrestimi i ish-Kryetarit të Bashkisë së Durrësit ishte fillimi i fundit për dominimin e tij në zonë.  Bashkë më të, nisi të dobësohej edhe zinxhiri i pushtetit dhe i influencave që ai kishte krijuar në qark, përfshirë deputetin Jurgis Çyrbja. Pesha e tij për të ushtruar pushtetin nuk ishte më e njëjtë, pasi të tjerë kishin marrë në dorë tërheqjen e fijeve të pushtetit në qarkun e Durrësit.

Njerëzit me të cilët konfidohej e kanë thënë muaj më parë se ky ishte mandati i tij i fundit për deputet. Por ata s’kishin parashikuar skenarin e arrestit me burg. Tani që ky skenar është realizuar dhe arrestimi ka ndodhur, Jurgis Çyrbja duhet të ketë mallkuar ditën që iu fut politikës.

Thonë se pushteti është si një kafshë e egër; Të ha, po nuk e mbajte nën kontroll. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë