Menaxhim

Sejko: Zhvillimet teknologjike, aq rreziqe sa edhe avantazhe. Duhet të jemi gati për ndërhyrje

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pjesë e Forumit për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, foli për nevojën e përshtatjes së sistemit financiar me ndryshimet e shpejta teknologjike.

Sejko u shpreh se evoluimi i shpejtë i AI, monedhave digjitale dhe sistemit të pagesave kanë rreziqe po aq sa edhe përfitime, duke bërë thirrje për ndërhyrje me rregullore në këto fusha.

“Ashtu si çdo zhvillim teknologjik, këto tendenca ofrojnë si mundësi, për sa i përket përfitimeve të mundshme, ashtu edhe rreziqe, dhe të dyja këto aspekte duhet të vlerësohen dhe kuptohen me kujdes. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ndërhyjnë me rregullore të përshtatshme në momentin që instrumente të tilla të tregut financiar fillojnë të luajnë një rol serioz dhe sistematik në treg. Në këtë mënyrë do të jemi të përgatitur mirë për të përballuar sfidat që vijnë nga inovacioni financiar në të ardhmen”, tha Guvernatori shqiptar.

Guvernatori Sejko ishte i ftuar në panel së bashku me homologët nga Ballkani dhe Europa Lindore. Guvernatorët shkëmbyen mendime mbi disa çështje kryesore të aktualitetit ekonomik, të tilla si: sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e inflacionit dhe reagimi i bankave qendrore ndaj tij; rifitimi i besueshmërisë së institucioneve dhe mjetet e reja të komunikimit; si dhe sfidat afatgjata që shtrohen lidhur me zhvillimet teknologjike dhe ndërlidhja e tyre me politikën monetare.

Sejko shprehu pikëpamjet e tij mbi pasojat e zhvillimeve ekonomike në rajon, si përballja me inflacionin pas goditjes globale të furnizimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe tregoi për progresin e Shqipërisë. Drejtuesi i BSH-së u shpreh se në vendin tonë është arritur reduktimi i inflacionit nga piku prej 8.3% në nëntor 2023, në nivelin prej 4% në dhjetor 2023. Në të njëjtën kohë është siguruar dhe ruajtja e një rritjeje ekonomike solide prej rreth 3.5% për vitin 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë