Menaxhim

Sejko takim me bankat tregtare: Në 2024-n kujdes me kreditimin e pronave dhe kreditë e këqija

Nga Gazeta ‘SI’ - Në takimin e fundvitit me bankat tregtare, Guvernatori i Bankës qendrore, Gent Sejko i rikujtoi atyre që risqet janë ende të pranishme, që nga kreditimi i tregut imobiliar e deri tek kreditë e këqija.

Në fjalën e tij Sejko theksoi rrezikun e ekspozimit të bankave ndaj pasurive të patundshme, qoftë nëpërmjet financimit direkt apo akumulimit të lartë të kolateraleve nga kjo kategori.

Sejko i rikujtoi atyre se duhet të respektojnë rregullore për mbajtjen e një sasie kapitali më të lartë për financimin spekulativ të pasurive të paluajtshme, me qëllim krijimin e rezervave të duhura për mbulimin e këtij rreziku.

Gjithashtu, në fillim të tetorit 2023, u miratua rregullorja “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet në pasuritë e paluajtshme”, sipas së cilës bankat do të fillojnë raportimin e standardizuar të këtyre ekspozimeve për pasuritë e paluajtshme rezidenciale në muajin mars 2024.

Sipas Sejkos, niveli i kredive me probleme është sinjalizues me rëndësi për bankat, që paralajmëron rreziqet në të ardhmen.

“Banka e Shqipërisë paralajmëroi vitin e kaluar se rritja e kostos së kredive mbart rrezikun e rritjes së kredive me probleme, për sa kohë që aftësia paguese e kredimarrësve nuk është rritur në mënyrë proporcionale me rritjen e çmimeve. Menaxhimi në faza të hershme i problemeve të kredimarrësve mbetet kyçi për shmangien e akumulimit të portofoleve problematike, që paralizojnë procesin kreditues”, u shpreh Guvernatori.

Ai bëri thirrje për zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve e produkteve financiare si edhe për plotësimin e kërkesës për kapital shtesë sipas kuadrit europian.

“Konsolidimi i sistemit bankar dhe rritja e numrit të bankave me peshë të lartë në sistem e bën imperativ trajtimin e diferencuar të tyre për të zbutur rreziqet sistemike dhe efektet mbi paratë e taksapaguesve, në rast krizash të mundshme në të ardhmen. Vlerësoj se është e rëndësishme që të ardhurat më të larta të këtij viti, të shfrytëzohen nga bankat për të rritur qëndrueshmërinë afatmesme të treguesve të kapitalit dhe mbështetjen e ndërmjetësimit financiar”, përfundoi Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë