Ekonomi

Sejko para deputetëve: Me kufizimin e kredisë për banesa parandalojmë një krizë si e 2008-s në SHBA!

Nga Gazeta ‘SI’- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ishte sot përballë deputetëve në komisionin e Ekonomisë, ku prezantoi raportin vjetor të institucionit.

Deputeti socialist Erion Braçe, duke vlerësuar punën e Bankës për ruajtjen e stabilitetit, u shpreh i shqetësuar për kursin e këmbimit që ka rrënuar sektorin e eksporteve e bujqësisë dhe për rritjen e paprecedentë të çmimeve në tregun e pronave.

“Rënia e prodhimit industrial si eksport dhe rritja e fortë e eksporteve të shërbimeve, mos po çon në ndryshime strukturore për të cilat jemi të papërgatitur? Më shqetëson përcjellja e ngadaltë në tregjet e brendshme e forcimit të monedhës vendase dhe uljes së inflacionit të jashtëm. Për çmimet e tregut të pronave, mos po ndërtojmë keq? Mos po e fokusojmë sektorin tek segmenti I luksit dhe çmimet mbahen lart? Po fokusohemi tek zyrat dhe jo tek strehimi”, tha ndër të tjera deputeti socialist.

Nga krahu i demokratëve, ishte deputeti Eno Bozdo i cili e cilësoi raportin e Bankës si një “karamele” që nuk pasqyron realitetin e ekonomisë shqiptare.

“Ju keni ndërhyrë në kursin e këmbimit për të stabilizuar euron. Kursi nuk është më free floating, por është dirty floating. Në mendimin tim keni bërë mirë që keni ndërhyrë, se europ do të ishte më poshtë, por duhet të mbani një anë. Përgjegjësia kryesore këtu është e qeverisë. Në raport nuk adresohet eleanti në dhomë, fluksi i parave të pista që hyjnë në ekonominë shqiptare, raportet ndërkombëtare japin shifra që shkojnë deri në 20% të PBB-së së vendit. Raporti i DASH flet për depërtimin e parasë së krimit në ekonomi. Mijëra njerëz kanë humbur vendet e punës përshkak të zhvlerësimit të euros. Dy vitet e fundit, shqiptarët kanë humbur 91 mld lekë depozita nga zhvlerësimi i euros. Duhet një analizë e thellë.

Ky model është model që po çon në rrënimin e ekonomisë. Rrezikun e kemi në derë”, tha deputeti Bozdo.

Ai përmendi edhe skandalin e mikokredive duke thënë se BSH duhet të kishte ndërhyrë që në vitin 2016.

Guvernatori i Bankës, në përgjigje të pyetjeve të deputeti Braçe tha se është e pamundur për Bankën të mbrojë industri të ekonomisë që dëmtohen nga kursi i këmbimit, sepse kjo është punë e qeverisë.

“Shqipëria ka një numër të njerëzve që humbasin nga kursi i këmbimit, por ka edhe një numër të lartë të atyre që fitojnë. Sa herë ekonomia është forcuar, edhe leku është mbiçmuar. Zhvlerësimi i lekut do të rriste të ardhurat në këmbim, por do të rriteshin çmimet në një efekt zinxhir. Ne nuk kemi ndërhyrë për të mbrojtur industri të caktuara si bujqësia dhe fasonët, ata mbrohen me politika fiskale jo monetare. Banka vlerëson që duhet të jenë prioritet sektorët prodhues. Ne kemi disa analiza për parashikueshmërinë e kursit të këmbimit, por s’i kemi bërë publike për të mos ndikuar në treg.

Sejko u ndal dhe tek masat për të kufizuar kredinë e pasurive të patundshme, për të parandaluar një krizë të ngjashme me atë të 2008-s në SHBA; fryrje e tregut deri në zhvlerësim dhe falimentim të bankave. “E rëndësishme është që çmimet e pronave të rriten njëkohësisht me të ardhurat e popullatës. Nëse çmimet rriten më shumë se të ardhurat, atëherë është problem!”, tha kreu i Bankës qendrore.

Për ekonominë informale, Sejko tha se Banka nuk ka informacion për paratë jashtë sistemeve bankare dhe është e vështirë për tu llogaritur.

Ndër të tjera, Guvernatori theksoi se Banka ka qenë shpesh nën presion pasi i është kërkuar llogari për detyra jashtë juridiksionit të saj.

 “Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, shpesh herë ka element që ndikojnë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari që janë jashtë tagrit të saj, ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyjë në detaje. Për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem”, tha Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë