Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ndikojë në ecurinë e inflacionit në Shqipëri dhe vlerësohet si një faktor rreziku për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike,sipas Guvernatorit Sejko i cili mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), që për shkak të pandemisë u zhvilluan virtualisht mes dative 13 dhe 20 tetor.
Rritja e ekonomisë shqiptare është kthyer në nivelin e saj të para goditjeve të tërmetit dhe pandemisë, por pavarësisht se rimëkëmbja ekonomike ka nisur, Sejko shtoi se projeksioni i saj varet nga shumë faktorë, si ecuria e pandemisë, qëndrueshmëria e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, si dhe nga ndikimi i goditjeve aktuale të ofertës.
Sejko theksoi se gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ruajtur kahun stimulues të politikës monetare, në shërbim të kthimit të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, si dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.
Një tjetër çështje që u diskutua gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e këtij sistemi.
BSH vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar kanë vijuar të performojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rreziqeve të veprimtarisë.
Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm, si dhe raporti i kredive me probleme arriti nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, 6.9% në muajin gusht 2021.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pret një kthim në kahun konsolidues të orientimit të politikës fiskale, që do t’i shërbente si rritjes së hapësirave të reagimit ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, ashtu dhe kombinimit të duhur të normalizimit të politikave.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zbutjen e efekteve negative të dhëna nga pandemia, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.
Ata nënvizuan se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të cilësuar të saktë, e cila ka mundur të sigurojë një mjedis financiar të favorshëm për rritjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv.
Më tej, shtuan se kjo politikë ka ndihmuar që tregjet financiare të funksionojnë normalisht, kostot e financimit të sektorit publik dhe privat të jenë të ulëta, dhe bilancet e sektorit bankar të paraqiten të shëndetshme. Ata gjithashtu u shprehën se me masat e marra gjatë pandemisë nga Banka e Shqipërisë, ajo mund të konsiderohet si një model mjaft i mirë ndër bankat qendrore, i menaxhimit të rreziqeve të krijuara nga pandemia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje