Menaxhim

Sejko në Kuvend: Ndërhyrjet në treg, ‘qetësuan’ kursin e euros

Nga Gazeta ‘SI’- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot në Kuvend se ecuria pozitive e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025 u pasqyrua edhe në sektorin bankar.

Gjatë raportimit vjetor në Kuvend, Sejko tha se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor qetësuan disi kursin e këmbimit.

“Ne intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro prej tij gjatë vitit 2024, dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025. Rritja e prezencës në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e aktivitetit në tregun valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, pasoja të cilat mund të burojnë nga krijimi i pozicioneve spekulative apo nga rritja e volatilitetit të kursit. Këto masa kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të financimit për familjet dhe bizneset”, tha kreu i Bankës.

Sejko theksoi se cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.0%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008. “Analizat tona periodike sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike dhe testet e rezistencës së sistemit bankar tregojnë një aftësi të mirë përballimi të goditjeve të mundshme makrofinanciare”, shtoi Sejko.

Sejko theksoi se “pozicioni i jashtëm i ekonomisë është konsoliduar, falë rritjes së mëtejshme të eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte”.

“Gjatë vitit 2024, eksportet totale shënuan vlerën e 9.1 miliardë eurove, duke u rritur me 11% krahasuar me vitin paraardhës, të nxitura nga të ardhurat nga turizmi në vlerën e 5 miliardë eurove. Po ashtu, remitancat arritën 1 miliardë euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte në 1.6 miliardë euro”, tha Sejko.

Edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, sipas tij të tre këta tregues vijuan të rriten. “Eksportet totale u rritën me 6.1%, remitancat me 4.3%, ndërsa investimet e huaja direkte me 1.1%”, shtoi ai.

Sejko nënvizoi se në tërësi, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar vlera të larta pozitive gjatë tre viteve të fundit.

“Në pasqyrim të këtyre dinamikave, borxhi i jashtëm ra në 40.5% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 46.2% në fund të vitit 2023. Po ashtu, rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, një tregues kyç i qëndrueshmërisë financiare të vendit, i janë afruar nivelit 7 miliardë euro, duke ofruar një garanci të rritur për investitorët e huaj”, u shpreh Sejko.

Sejko nënvizoi se pozicioni fiskal është përmirësuar më tej, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor dhe i borxhit publik, respektivisht në nivelet 0.7% dhe 53.8% të PBB-së për fundin e vitit 2024.

Po ashtu, Sejko theksoi se sistemi bankar ka përmirësuar treguesit e qëndrueshmërisë dhe ka konsoliduar rolin e tij ndërmjetësues.

“Këto zhvillime kanë rritur aftësinë e sistemit bankar për të furnizuar ekonominë me fonde të qëndrueshme dhe me kosto të ulëta, si dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesave”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë