Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama do të paraqesë në Kuvend programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Seanca, e treta brenda kësaj jave, pritet të zgjasë mbi 25 orë, pasi çdo deputet do të ketë në dispozicion nga 10 minuta për fjalën e tij, siç u vendos dje në Konferencën e Kryetarëve.
Pas Ramës, të drejtën për të shfrytëzuar foltoren e ka Sali Berisha ose Gazment Bardhi, për aq kohë sa do të flasë kryeministri. Rrregullorja parashikon që vetëm kryeministri dhe lideri i opozitës kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohe ose në barazi me njëri-tjetrin.
Diskutimet priten të zgjasin deri në mesnatë, çka do të çojë në ndërprerjen e seancës dhe rifillimin e saj të premten. Në fund të maratonës së diskutimeve, Kuvendi do të votëbesojë qeverinë e re me kryeministrin dhe 16 ministrat, duke votuar dekretet e presidentit Bajram Begaj.
Nëse votimi do të bëhet të premten herët, edhe ceremonia e betimit të kabinetit tek oresidenti do të zhvillohet po atë ditë. Përndryshe, ajo do të shtyhet për të shtunën.
Menjëherë pas betimit, Rama pritet të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re, siç ka ndodhur në mandatet e mëparshme.
Një ditë më parë, Gazetasi.al zbardhi programin qeverisës, i bazuar në tre shtylla kryesore.
E para, “Shqipëria Evropiane” dhe synimi për ta integruar vendin në BE brenda 2030-ës. Shtylla e dytë baztohet te “Rritja e qëndrueshme ekonomike”, ndërsa tek e treta, qeveria premton se këtë mandat do t’i hedhë më shumë sytë tek qytetarët me “Mirëqenie për të gjithë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



