Drejtësia

Apeli i GJKKO shtyn në 25 qershor vendimin për Fredi Belerin, i cili kërkon pafajësi: Provat janë manipuluar

Gazeta Si - Pas rreth 3 orësh, Gjykata e Apelit të Posaçëm deklaroi të mbyllur shqyrtimin dhe vendosi të shtyjë në 25 qershor, ora 13:00 marrjen e vendimit për çështjen e Fredi Belerit, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.

Gjatë seancës së kësaj të premteje, Beleri kërkoi pafajësinë, duke kundërshtuar dënimin me dy vite burg. Që në orët e para të mëngjesit, seanca në Gjykatën e Apelit, u zhvillua me një sërë diskutimesh nga ana e avokatëve mbrojtës të kryetarit të zgjedhur të Himarës.

Fredi Beleri pretendoi se nuk ka bërë asnjë shkelje dhe sipas tij provat janë manipuluar. Por ajo çfarë është evidentuar nga prokurori Xholi është fakti se sipas tij ka pasur shkelje të ligjit.

Fredi Beleri

“Veprimet e para të prokurorëve të Vlorës janë kryer në datë 8 maj, ndërsa në datën 9 janë bërë hedhjet në sistem online nga ana e sekretarisë dhe kjo do të thotë se janë kryer shkelje të ligjit”, th ai.

Prokurorët i thanë gjykatës së pretendimet e avokatëve nuk qëndrojnë. Në seancën që u mbajt ditën e sotme në Apelin e GJKKO, Fredi Beleri përsëriti edhe një herë pretendimet se është arrestuar me “dëshirë të kryeministrit".

Teksa ndodhej pas hekurave, kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, deklaroi se ndërgjegjen e ka të qetë, duke shtuar se "provat janë të manipuluara".

“Avokatja ishte shteruese, i paraqiti të gjitha pretendimet tona. Shikohet qartë që jam arrestuar me dëshirë të kryeministrit. Provat janë manipuluar dhe unë e kam ndërgjegjen time të qetë. Po ashtu, edhe ju që do të merrni një vendim, uroj ta keni ndërgjegjen e qetë”.

Avokatja

Ndërsa, avokatja e Belerit kërkoi që të rrëzohet vendimi i Shkallës së Parë dhe deklarimin e pafajshëm të klientit të saj, pasi siç u shpreh ajo, fakti penal nuk ekziston.

Për provat ka theksuar se janë të falsifikuara, duke kërkuar kështu prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe pafajësinë e Belerit.

“Vendimi i gjykatës nuk i plotëson kushtet normale të arsyetimit, është kopjuar nga kërkesa e Prokurorisë. Do të kundërshtoj të gjitha provat në të cilat është mbështetur gjykata për ta shpallur fajtor zotin Beleri. Ka shkelje proceduriale dhe të të drejtave të pandehurit. Ka lapsuse në disa gjëra. Sekretarja e Prokurorisë kishte harruar ta regjistronte vendimin e Prokurorisë për përgjimin. U rikthye për ta regjistruar në orën 11:40 të natës”, mësohet të ketë thënë ajo para togave të zeza.

Në sallë, përveç avokatëve të eurodeputetit të zgjedhur, prezentë janë ambasadorja greke Kostandina Kamici, Vangjel Dule e mbështetës të Belerit.

Beleri është paraqitur në seancë bashkë me Pandeli Kokaveshin, të dënuar nga shkalla e parë për korrupsion në zgjedhje.

Avokati i Kokaveshit ka kërkuar gjatë seancës gjyqësore në Apelin e Gjykatës së Posaçme shpalljen të pafajshëm të të pandehurit, i cili është dënuar për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Sipas burimeve, avokati i Kokaveshit, i cili u arrestua së bashku me Belerin dy ditë para votimeve, kërkoi papërdorshmëri të të gjitha provave, pasi sipas tij, në disa raste janë të falsifikuar dhe në disa raste të tjera janë marrë në kundërshtim me ligjin.

Eurodeputet

Përveç se si kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është zgjedhur edhe deputet i Parlamentit Europian nga Partia “Demokracia e Re” e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ai arriti të merrte 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen. Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje, është dënuar me dy vite burgim nga GJKKO, ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg që i janë konvertua me 3 vite shërbim prove, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjatë çdo seance, Fredi Beleri e ka konsideruar arrestimin dhe dënimin e tij si politik, teksa ka akuzuar Prokurorinë se ka sajuar faktet dhe provat kundër tij.

Arrestimi

Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, pasi më herët një banor i Himarës, Arsen Rama i ishte ofruar Policisë të regjistronte bisedat dhe veprimet me të, për blerje të votave në favor të tij.

Sipas Prokurorisë, Ramës i janë dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit.

Vetë Rama do të përfitonte një shpërblim prej 300 eurosh. Paratë për personat që do duhej të votonin në emër të Beleri janë dhënë nga bashkëpunëtori i këtij të fundit, Pandeli Kokaveshi.

Arrestimi i Fredi Belerit shkaktoi tensione të ashpra mes Athinës dhe Tiranës, ku Greqia e ka konsideruar si një arrestim politik, po ashtu edhe si opozita në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë