Komuniteti i astronomëve po përpiqet që të unifikojë zërin dhe krijojë një front të koordinuar kundër kompanive dhe vendeve që hedhin në orbitën e ulët satelitë në mënyrë të pakontrolluar dhe në sasi të vlerësuara shqetësuese.
Ata kanë ngritur shqetësimin, duke iu referuar rrjetit të satelitëve Starlinks të Elon Musk, se po e bëjnë më të vështirë marrjen e një pamje të qartë të universit. Këta satelitë me orbitë të ulët dhe me lëvizje të shpejtë lënë vija të ndritshme nëpër imazhet e teleskopëve.
Unioni Ndërkombëtar Astronomik po krijon një qendër të re për të përqëndruar reagimin e komunitetit.
Unioni do të udhëhiqet nga Laboratori Kombëtar i Kërkimeve të Astronomisë të SHBA-së (NOIRLab) në Tucson, Arizona dhe nga Organizata e Array Kilometer Square (SKAO) në Mançester. Kjo e fundit është më i shqetësuar për efektet e satelitëve te sinjalet radio.
Qendra e re e quajtur për “Mbrojtjen e Qiellit të Errët dhe të Qetë nga Ndërhyrja e Konstelacionit Satelitor” do të përpiqet të veprojë si një zë i vetëm për astronominë. Kjo qendër do të angazhohet dhe do të inkurajojë kompanitë satelitore që të bëjnë çdo përpjekje për të minimizuar ndotjen që po krijojnë. Por, do të shërbejë edhe si mjet presioni për ligjvënësit në mbarë botën që të shtrëngojnë rregulloret për të pasur një sjellje etike dhe të pranueshme në orbitë.
“Prioriteti kryesor është një qasje bashkëpunuese me industrinë dhe t’i vendosë kompanitë që të krijojnë një kulturë korporative vullnetare që synon të zbusë këto ndikime”, tha Richard Green nga Universiteti i Arizonës.
Ulja dramatike e kostos së lëshimit të raketave, e lidhur me një ulje të ngjashme në koston e ndërtimit të satelitëve ka çuar në një rritje të fortë dhe të pakontrolluar të infrastrukturës satelitore, sidomos në orbitën e ulët.
Me shqetësim të menjëhershëm vlerësohet rrjeti Starlink i Elon Musk për të ofruar lidhje interneti me brez të gjerë nga hapësira. Kjo përfshin vendosjen e qindra, deri në mijëra satelitëve vetëm disa qindra kilometra mbi Tokë.
Në këtë lartësi, ata lëvizin shpejt nëpër qiell dhe në agim dhe muzg, kur Dielli është i ulët në horizont do përthithin dritën dritën dhe lënë pas një vijë të shndritshme kur ekspozohen para një teleskopi. Transmetimet e satelitëve gjithashtu, nëse nuk janë të kufizuara fort, mund të rrjedhin nëpër frekuencat e përdorura nga antenat radio të astronomëve, duke penguar kapjen e sinjaleve nga universi i largët.
Dy projekte me brez të gjerë – rrjeti Starlink i sipërmarrësit amerikan Elon Musk dhe iniciativa britanike OneËeb po udhëheqin valën e re të satelitëve në orbitë dhe kanë nisur deri më tani mbi 2000 satelitë, por të dyja kompanitë kanë plane për shumë më shumë satelitë të tillë me shifra që shkojnë nga 8 deri në 12 mijë të tillë.
Si të mos mjaftonte kjo, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos po përgatit rrjetin e tij Kuiper dhe Bashkimit Europian ka për objektiv ngritjen e rrjetit të vet të brezit të gjerë në orbitë nga mesi i kësaj dekade. Astronomët thonë se këto plane janë të rrezikshme dhe praktikisht do të “verbonin” njerëzimin nga gjurmimi i sinjaleve të mundshme nga hapësira e largët.
Ata përmendin detektorët e valëve radio që studiojnë sfondin kozmik të mikrovalëve, që është drita më e vjetër në qiell dhe na jep një paraqitje të shkurtër të strukturës dhe përmbajtjes së Universit menjëherë pas Big Bengut. Këta detektorë mund të verbohen nga nga satelitët e konstelacionit.
Astronomët thonë se ekziston mundësia që satelitët të pengonin edhe vrojtimin e asteroidëve, duke e bërë të pamundur parashikimet në rastet kur ndonjëri prej tyre mund të ketë trajektore përplasëse me Tokën.
Qëndra e re e krijuar nga astronomët synon që të ndërgjegjësojë dhe bindë kompanitë që të tregohen të kujdesshme me sasinë e satelitëve që hedhin në orbitë, si dhe bashkëpunuese duke treguar koordinatat, që shkencëtarët në tokë të planifikojnë vëzhgimet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



