Gazeta Si – Një 36-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi teksa i vuri zjarrin tokës së tij, flakët u përhapën duke djegur dhe 3 banesa të tjera.
Policia e Sarandës tha se në pranga ka rënë M.B., 36 vjeç, banues në fshatin Livinë, në Finiq. Nga hetimet rezultoi se ishte ai që ka ndezur zjarrin, mirëpo në momentin që pa se flakët u përhapën me shpejtësi, u largua nga vendi i ngjarjes.
Zjarri është ende i ndezur dhe kërcënon edhe disa banesa. Fatmirësisht, të gjithë banorët janë evakuuar.
Lidhur me këtë rast, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përmes një reagimi në rrjetet sociale pranon situatën e vështirë me zjarret në zonën e Finiqit në Sarandë. Sipas tij, autoritetet po punojnë në disa drejtime.
“Zjarret në vend. Në Bashkinë e Sarandës në zonën e Finiqit kemi një situatë të vështirë. Forcat zjarrfikëse, si dhe Forcat e Armatosura përmes një helikopteri po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur banesat”, thekson Balla, duke publikuar edhe një video nga puna e forcave zjarrfikëse në luftë me zjarret.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




