Ka ndodhur

Sarandë, zbulohet koka dhe trupi i një njeriu të groposur në afërsi të fshatit Xarrë

Gazeta Si – Në Sarandë, policia ka zbuluar pjesë të trupit të njeriu në afërsi të fshatit Xarrë në Bashkinë e Konispolit, Sarandë.

Pas kokës, që u gjet mbrëmjen e të martës, këtë të mërkurë është gjetur edhe trupi i groposur disa metra më tutje në të njëjtin vend.

Mbetjet kockore ishin në proces dekompozimi, por janë evidentuar inde, që janë dërguar në laboratorin e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë. Dyshohet se trupi është groposur gjatë muajve të fundit.

Policia ka rrethuar zonën, ndërsa pjesët e trupit janë dërguar në morgun e qytetit, në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore nga specialistë nga Tirana.

Sipas hetimeve paraprake, koka dyshohet se i përket një çobani që rezulton i humbur prej disa kohësh.

Megjithatë, dyshimet e para e lidhin këtë ngjarje me zhdukjen e dy personave në Sarandë, Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, të dy me precedentë penalë. Por hetuesit janë të rezervuar në dhënien e detajeve.

Dy 46-vjeçarët, dyshohet që të jenë rrëmbyer dhe vrarë në Sarandë, por policia nuk ka arritur ende të zbardhë ngjarjen.

Policia thotë se po vijon hetimet për këtë ngjarje. Deri më tani është ndaluar një 28-vjeçar i quajtur Sofokli Baxheri, pasi uniformat blu dyshojnë se ai është person që ka dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë nuk kanë munguar as kontrollet në Xarrë, Vrinë dhe Shëndelli të Sarandës, por nuk ka asgjë konkrete.

Leonard Thodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.

I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar në prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMË” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë