Media Galeri

Saranda celebron sezonin “Verë 2021”

Më shumë se 6 orë, prej mbrëmjes së 28 majit, iu dedikuan veprimtarive celebruese për zyrtarizimin e çeljes së sezonit “Verë 2021” në Sarandë.

Një poster në vend të ftesës “Eja në Sarandë”,  zë vend në një prej “portave” hyrëse për këtu. Një led-wall i instaluar te Rrapi jep fluturimthi kartolinën vizive të ofertës  turistike 2021.

E tërë shëtitorja dhe hapësira e rërës së Plazhit të Centralit ishte për aktorë që ofrojnë turizëm. Hotele që promovuan ofertën 2021, Bashkia që rekomandoi  pikat më interesante të interesit turistik, skuadra life guard që demonstroi episode shpëtimi në plazhe,grupe çiklistësh pedaluan midis njerëzve, te platforma e shëtitores shahistët e rinj shpalosën sportin e mendjes dhe dhuruan emocione të veçanta drejtuar nga shahistja kampione kombëtare Rozana Gjergji.

Kryebashkiaku Gurma e personalitetet që e shoqëruan, u ndalën te ekspozita e artit pamor e tek ajo fotografike, për të vijuar me urimet për një sezon të mbarë dhe prurje turistike që pritet të shënojë ringritjen e turizmit.

Atmosferën festive e ndezën fëmijët me këngët e vallet e tyre, si dhe grupet polifonike, me artin e tyre të pëlqyer.

Profesionistët e rinj të turizmit që përgatit shkolla e mesme profesionale “Antoni Athanas”, performuan me recetat e tyre të kulinarisë dhe me tortën e sezonit, që mbante firmën e tyre. Breshëri i fishekzjarreve, të hedhura nga deti për tokën,  erdhën si një kulm i festës së sezonit “Verë 2021”.

Pas kësaj, erdhën orët e argëtimit pa kufi moshor, gjithashtu në platformën e shëtitores së re, që u kthye në një diskotekë verore buzë detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë