Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 nga Abdi bej Toptani (1785- 1862), djali i Kapllan Pashë Toptanit, varri i të cilit ndodhet në qendër të qytetit, dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme.
Shtëpia u përdor në fillim për miqtë duke qenë se ishte një familje e madhe. Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.
Banesa me dy kate, e ndërtuar nga mjeshtrat dibranë, është vendosur mbi një parcelë të rrafshët me orientim nga jug-lindja, duke i drejtuar diellit pamjen kryesore. Ajo paraqet interes nga ana ndërtimore, si për kompozimin funksional, trajtimin arkitektonik-dekorativ, ashtu dhe të lidhjes së saj në një ansambël të vetëm me ndërtimet përreth.
Aty lindi, u rri dhe ndërroi jetë Abdi Bej Toptani, luftëtar antiosman, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, Ministri i Parë i Financave në historinë e shtetit shqiptar, në qeverinë e Ismail Qemalit dhe anëtar i Keshillit të Naltë në vitet 1920 - 1922. Në Sarajet e Toptanit, në vitet 1925-1929, u vendos Ambasada e parë e SHBA.
Sarajet janë shpallur monument kulture i kategorisë së parë, shpallur me nr vendimi v. 1883 datë 10/06/1973. Banesa ka një sipërfaqe rreth 354 m2 dhe lartësia arrin deri në 12m. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës. Brenda në banese ndodhet një “Hamamxhik”, që do të thotë hamam kur ka dimension të vogël dhe ndodhet në hapësirën private të shtëpisë. Këto elemente janë indikatore të zhvillimit të teknikës, stilit të ndërtesave dhe zhvillimit ekonomiko-social të Tiranës në ato vite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.