Politike

Samiti i Berlinit në Tiranë/ Rama: Kemi nevojë për një çati të përbashkët, me fondet ndarje klasore. Von der Leyen: Duhen reforma. Michel: Koha të mbajmë premtimin

Në Tiranë po mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit.

Ndërkohë ka nisur mbërritja e liderëve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit, të cilët po priten nga  kryeministri Edi Rama në hyrje të kryeministrisë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur, kryeministri  grek Kyriakos Mitsotakis, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, kancelari gjerman, Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi Procesin e Berlinit.

Mbërritën gjithashtu liderët e Ballkanit Perëndimor përfshi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi Rama- Kurti u duk i ftohte dhe krejt protokollar, ashtu si edhe përshëndetja tjetër mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Takim më i përzemërt u pa mes Ramës dhe kancelarit gjerman Scholz apo edhe me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.  

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron anuloi pjesëmarrjen dhe pritet të mbërrijë në Tiranë pasdite në vizitën e parë zyrtare.

Në takim mungo edhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila  përfaqësohet nga zv.kryeministri, Antonio Tajani.

Kryeministri Edi Rama në fjalën hyrëse të Samitit të Berlinit shprehu nevojën e futjes së Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Ndihem vërtet mirë që kujtojmë atë udhëtim të përbashkët që nisi nga Angela Merkel, disa prej jush janë nga BE dhe disa të tjerë jemi nga E pa B. e megjithatë të gjithë ne besojmë fort këtë ditë nevojën e një çatie të përbashkët dhe madje edhe një llogoreje në këto kohëra sforce që duket se do të përkeqësohen para se të përmirësohem. Është një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë vendin e vet, Evropa po ndryshon shumë më shpejt dhe më ndryshe, ka një sulm shkatërrues kundër Izraelit që ka detyruar një tjetër komb demokratik që të vetëmbrohet. Pikëpamje të ndryshme për botën po krijojnë ndasi përreth komunitete demokratike, pyetja është se si po reagojmë ndaj kësaj skene ndërkohë që ne jemi të bashkuar kundër Rusisë, a po përgatisim një përgjigje me të cilat po përballet komuniteti ynë, të gjithë ne që përfaqësojmë Evropën ndarja e dhimbshme mes anëtarëve dhe jo anëtarëve të BE, të jetosh pa BE nuk është e lehtë, sfida po intensifikohet krahasuar me homologët e BE, nuk dua të ngre gishtin por të ngre disa pikëpyetje a mund t’i përballojmë këto ndasi siç bënim disa vjet më parë?

Gjatë 9 viteve kemi dëshmuar në takime të panumërta, edhe u bëmë pionier të iniciativave tona si ‘Open Balkan’, që do kishte qenë i pakonceptueshëm pa procesin e Berlinit.... Më duhet të theksoj se premtimet konkrete të procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht”, tha ndër të tjera Rama.

 Kreu i qeverisë thotë se vendet e rajonit marrin vetëm 138 euro për frymë gjë që pengon procesin.

“Procesi është penguar nga çështje afatgjata midis disa vendeve të rajonit. Mund të them që fqinjët tanë të BE-së kanë marrë mbi 4500 euro për frymë dhe vendet tona marrin 138 euro për frymë. Këto shifra janë një dëshmi e frikshme e një ndarje klasore që ka thelluar ndarjen tonë në të njëjtën shtëpi të Evropës.

Në kuadër të planit të investimeve të BE në Ballkanin Perëndimor, investimet janë domethënëse... Mekanizmi i përqasjes ndaj tyre është i ngadalshëm dhe i vjetëruar. Nuk po kërkoj financime të barabarta me vendet e BE-së, ajo çfarë po them që në këtë peisazh gjeopolitik që po zhvillohet shpejt, duhet veprim dhe më i shpejt”, tha Rama.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha gjatë tryezës së mbledhur bashkë se BE dhe Ballkani duhet të punojnë së bashku që rajoni të bëhet pjesë e unionit.

“Jo vetëm që kemi procesin e Berlinit, hera  e parë që ndodh në rajon. Me fjalë të plota e shpjeguar që ne jemi dëshmitarë të një lufte të tmerrshëm që ka nisur Rusia kundër Ukrainës. Ne kemi parë edhe një sulm të tmerrshëm terrorist të Hamasit, që ka varrë më shumë se 1400 gra burra fëmijë bebe, vetëm për arsye se janë hebrenj. Po jetojmë në një planet që po digjet, të sfiduar nga Inteligjenca Artificiale na duhen miqtë më të mirë. Të punojmë që ju të bëheni pjesë e një BE-je që ka treguar se është e mundur që mund ta arrijmë një paqe që të zgjasë...”

Lidhur me fondet e akorduara nga BE-ja, Ursula von der Leyen ishte e qartë:

 “...Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun e tyre Rajonal, kjo do të thotë që vendet e BP t’i afrojnë qasje fqinjëve të tyre. Nëse ka bllokime, ti bllokon vetëm veten tënde, sepse vendet tjera ecin përpara.

Për të ecur përpara duhen reforma, dhe këto reforma do të shoqërohen nga financime nga BE. Vetëm duke punuar së bashku mund ta sjellim Ballkanin Perëndimor në zemër të Evropës, aty ku i takon. Mos lini mundësitë, por kapeni momentin”.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se ka ardhur koha që krizat nëpërmjet vendeve kudo në glob t’u vihet ‘kapaku’.

”Shqipëria njihet për mikpritjen e saj dhe kjo është vërtetuar edhe njëherë sot. Ky vlerësim është po aq i vërtetë sot saç ka qenë dhe vjet për Procesin e Berlinit. Ky proces kërkohet gjithnjë e më tepër, kjo u evidentua edhe më tepër në luftën në Ukrainë. Është e qartë në formë absolute ne e dimë shumë mirë atë po ndodh jo shumë larg nesh me agresionin e Hamasit ndaj Izraelit dhe pasojat që mund të ketë. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar shumë më gjatë dhe që u mbajnë të gjithëve në vend numëro, edhe sulmi në veri të Kosovës e dha këtë mesazh... Çfarëdolloj ecurie që do të kemi për tregun e përbashkët rajonal është më konkret se kurrë. Le të fillojmë duke bërë çdo gjë konkrete” tha Scholz.

Më konkret ishte Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Zgjerimi është investim në paqen dhe begatinë qoftë të BE dhe anëtarëve tanë të ardhshëm. Kjo mundësi nxit bashkëpunimin tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rrugëtimi juaj ka nisur para 20 vitesh, megjithatë ka qenë i ngadaltë, tani e dimë që ka ardhur koha të mbajmë këtë premtim. Ky afat është hasur me skepticizma në rajonin tuaj sepse keni pritur me një kohë shumë të gjatë. E di që Edi e ka krahasuar me nusen që si vjen kurrë dhëndri në dasmë, por ne do e bëjmë këtë dasmë. Plani ynë është serioz për të ardhmen e BE-së. Me Ramën dakord se do të jemi gati për zgjerimin e radhës” tha Michel, duke dhene afate brenda 2030

Edhe në përurimin e Kolegjit Europian në Tiranë, Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, u shpreh se Shqipëria është një dritare për të ardhmen Europiane.

“Kur ju Edi hodhët këtë ide në dhjetor të vitit të kaluar në samitin që bëmë këtu mendova do të duhet kohë, po ja ku jemi. Momenti në të cilin ndodh ky përurim është simbolik në 1992 u krijua dega në Poloni për Kolegjin e Europës dhe ashtu këto vende pas rënies së Perdes së Hekurt, vendet filluan të bëhen gati për anëtarësimin e tyre në BE dhe tashme kemi një datë tjetër të Kolegjit të Euopës në një moment kur Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përpiqen dhe bëheni gati për të ardhmen e tyre në BE. Pra në fakt Shqipëria është një dritare për të ardhmen tonë Europiane për të gjitha gjërat e mrekullueshme që do të ndodhin për rajonin dhe Evropën. Ky kampus do t’ju ndihmojë për tu përgatitur për Europën. E sjellë Rajonin më pranë Europës dhe Europën më pranë rajonit. Do të jetë një burim frymëzimi për brezat nga rajoni dhe nga bota. Me kërshëri presim ata që do të përfundojnë studimet në Kolegjin e Europës në Tiranë’ tha Michel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë