Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, gjatë ceremonisë së mikpritjes së pjesëmarrësve në Pallatin e Kongreseve, u shpreh se nesër në Samitin e Diasporës do të diskutohet për shumë çështje që kanë lidhje me shqiptarinë.
Majko iu drejtua pjesëmarrësve dhe biznesmenëve, duke nënvizuar se ky samit është vendi ku takohen gjithë shqiptarët, pavarësisht shteteve dhe trevave ku jetojnë dhe kanë aktivitetin e tyre.
“Nesër do të jetë një ditë e veçantë. Kjo është një shtëpi e veçantë, e mbretit (Pallati i Brigadave), por sot mbretër jeni ju. Kjo është thirrja, jo e një qeverie, apo dy, Shqipërisë e Kosovës, por e popullit tuaj, që iu fton, pasi keni dy pjesë, njëra në vendin ku jetoni dhe tjetra, këtu në vendlindje.
Jeni të gjithë bashkë për çështje që na lidhin me interesa dhe ekonomi, por mbi të gjithë të diskutojmë atë që jemi dhe do të jemi. Në këtë shtëpi, qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe politikanët e të gjitha trevave vijnë që t’u dëgjojmë”, – u shpreh Majko.
Të ftuar do të jenë shumë personalitete nga Kosova dhe Maqedonia. Ndërsa në agjendën e Samitit është i ftuar është edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Në agjendën e diskutimeve, Basha do të flasë i dhjeti, ndërsa shefi i qeverisë Edi Rama është i njëmbëdhjeti në listë. Megjithatë, kryedemokrati nuk e ka konfirmuar akoma pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet.
Në programin e Samitit janë parashikuar një sesion plenar kuvendues i Diasporës me autoritetet zyrtare vendase dhe më pas pjesëmarrësit do të ndahen në panele, ku do të diskutojnë mbi tema si e drejta e votës për emigrantët, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe identiteti shqiptar.
Përfaqësuesit e Diasporës do të zhvillojnë dhe një vizitë në Lezhë në përvjetorin e 575 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Aktiviteti do të zgjasë tre ditë dhe do të kushtojë rreth 670 milionë lekë të vjetra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




