Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka deklaruar se dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga posti ka qenë i detyruar.
“Jam i bindur që është shkarkim me ceremoni. Largimi i detyruar, ka pasur një drejtor të përgjithshëm dy vite më para që nuk pranoi të jepte dorëheqje, është e njëjta skemë”, tha ai në një konferencë me gazetarët.
Sipas tij, largimi i Muhamet Rrumbullakut nga posti, përflitej prej gati 1 muaji.
“Jam i bindur që është shkarkim me ceremoni. Largimi i detyruar, ka pasur një drejtor të përgjithshëm dy vite më para që nuk pranoi të jepte dorëheqje, është e njëjta skemë. Tre drejtorët e fundit, Ardi Veliu, e detyruan të dorëhiqej dhe e shpërndau letrën ministria, e patë që nuk dinte të shkruante. Gjithashtu edhe Gledis Nano, doli lajmi se u dorëhoq dhe doli e tha që se kam dhënë dorëheqjen. Sot kemi dy drejtorë të përgjithshëm që paguhen me taksat e shqiptarëve.
Sot është po e njëjta skemë, e nxjerr ministria para se të dalë Drejtori i Përgjithshëm, Ka një muaj që flitet, nuk ka njeri që nuk e di. Flitet që ministri ka një muaj që është mbyllur në zyrë për t’u fshehur nga ngjarjet kriminale se ka frikë vetë dhe nuk takon asnjë zyrtar të lartë sepse po bën plane me disa që as nuk janë në policinë e shtetit për të bërë emërime”, tha Salianji. Duke iu referuar asaj që tha më herët ministri i Brendshëm, Salianji tha: “Sot doli dhe tha që gjeneratat e reja që do të vijnë, ku e di ai kush janë personat me të aftë, a ka kritere profesionalizmi policia e shtetit apo militantizmi? Policia e Shtetit ka njerëz që e ushtrojnë detyrën me profesionalizëm, por u vendoset në krye të policisë së shtetit persona në shërbim të grupeve kriminale”, tha ai.
Salianji u ndal tek gjetjet e komisionit hetimor për TIMS-s raportin e së cilës (atë të hartuar nga opozita) e ka çuar në SPAK
“Për dy ditë sistemi është lënë i pasigurt dhe është ndërhyrë dhe kjo u faktua gjatë dëshmive dhe mbledhjes së fakteve në komision. Për dy ditë 8 persona bënë çfarë deshën me të dhënat e shqiptarëve dhe të shtetasve të huaj. Në bashkëpunim lejuan edhe persona pa autorizim që të ndërhynin në sistem, duke marrë apo fshirë të dhëna, duke përdorur kodin e një punonjëseje që ishte me leje. Kanë hyrë jashtë orarit zyrtar, natën, me pajisje të jashtme dhe s’kanë hartuar asnjë urdhër apo raport”, tha Salianji ndër të tjera.
Ai tha se ka pasur edhe ndërhyrje të dytë në sistemin TIMS dhe përsëri është fshehur nga drejtuesit e lartë.
“Asnjë masë ndaj shkelësve, asnjë raportim. Deri shtator të vitit 2022, të dhënat gjendeshin në kanal online dhe mund të bliheshin. Edhe për këtë s’ka pasur hetime penale, administrative deri në këto momente. Edhe drejtuesi i departamenti IT në dëshmi ka deklaruar ndërhyrjet. Edhe PS e ka pranuar se ka pasur shkelje. Rastet janë të pafundme dhe mund të jenë përdorur nga grupe kriminale apo politikanë e persona që mund të jenë në kërkim. Është përdorur manipulimi i të dhënave, fshirje e tyre në sistem apo mosregjistrimit nëpërmjet personave të duhur për të ndërhyrje. Persona të paautorizuar kanë pasur akses në sistemin TIMS pa pasur detyrë apo lidhje me policinë”, tha Salianji.
Ai nënvizoi se raporti iu dorëzua SPAK-ut për hetim të thelluar.
“Kka nevojë për hetim të shpejtë nga struktura antikorrupsion që mos ketë probleme të mëtejshme Por edhe veprimtaria e SPAK mund të dëmtohet nga ky sistem, pasi çdo person që shpallet në kërkim nuk kapet dhe është pothuajse 10 përqind e personave që nuk kapen siç edhe e keni parë e dëgjuar. Aksesi i lirë nga këta persona përbën rrezik të ekspozimit të të dhënave tona dhe të partnerëve të huaj, që mund të përdoren edhe nga shtete jomiqësore me Shqipërinë dhe që kanë rrezik për këtë sistem të rëndësishëm”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.