Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji doli në një konferencë për shtyp një ditë pas zbardhjes së vendimit të gjyqtarit Artan Gjermeni, që e dënon me një vit burg për dosjen e njohur si “Babalja”.
Salianji tha se zbardhja e vendimit vërtetoi se nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt ku të bazohet.
“Vendimi i Gjermenit, i shkruar nga partia është vendim politik, fjalë për fjalë pretenca që dha Rama pas publikimit të skandalit Xhafaj. Nuk ka asnjë justifikim sesi kanë bashkëpunuar personat që nuk njihen. Gjyqtari e pranon në vendim që nuk ka njohje të mëparshme mes meje dhe gazetarit Olldashi, e pranon që mes meje dhe dëshmitarit Alizoti nuk ka asnjë takim, asnjë komunikim, por pavarësisht se nuk njihemi dhe nuk kemi asnjë kontakt, prap kemi bashkëpunim”, deklaroi Salianji.
Ish-deputetit demokrat thotë se shkelje ka edhe në procedurën e publikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës. Ai thotë se publikimi është bërë pa u njoftuar më parë palët dhe pa u hedhur në sistemin e gjykatës, duke bërë të dyshimtë se kur është bërë zbardhja hyrëse.
Salianji akuzon gjykatën për falsifikim faktesh.
“Një nga faktet e falsifikuara në vendimin e gjykatës është mos dorëzimi i materialit origjinal. Gazetari Olldashi e ka dorëzuar materialin origjinal, por qëllimisht kur është ndarë dosja e trafikimit të narkotikëve, nga ajo e kallëzimit të rremë, materiali origjinal është lënë pjesë e dosjes së trafikimit. Në gjykim është kërkuar administrimi i kësaj prove, por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjyqtari, në mënyrë të qëllimshme”, deklaroi ish-deputeti i PD, duke publikuar një dokument, sipas të cilit në gjykatë është dorëzuar materiali origjinal.

Ish-deputeti demokrat deklaroi se në vendim citohet me tendencë nga ana e gjyqtrarit termi “kallëzim publik”, term ky i panjohur më parë. “Sepse ato që njihen deri tani janë “denoncimi publik” dhe “kallëzimi penal”. Në këtë rast ka vetëm denoncim publik, por gjyqtari me qëllim ka përdorur termin “kallëzim publik”, u shpreh ai.
Salianji vijoi duke deklaruar se vendimi i Gjermenit bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, pasi i jep prioritet privatësisë dhe reputacionit publik të një të dënuari me vendim të formës së prerë për trafik narkotikësh që ka vëllain ministër te Brendshëm, në dëm të lirisë së shprehjes së një politikani të opozitës dhe një gazetari investigativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.