Gazeta Si – Pak muaj përpara Lojërave Olimpike që zhvillohen në Paris në muajin gusht, Shqipëria ka vetëm dy sportistë të kualifikuar me normë. Ata janë atletja eksperte tashmë Luiza Gega dhe mundësi Zelimkhan Abakarov.
Mundja ndërkohë shpreson shumë që të ketë edhe Islam Dudaevin në Olimpiadë. Mundësi kuqezi ishte shumë pranë kualifikimit, por u ndal në gjysmëfinale në aktivitetin që po zhvillohet aktualisht në Azerbajxhan. Nëse shkonte në finale, ai automatikisht do të kualifikohej për në Paris 2024.

Po shpresat nuk janë shuar. Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, është shprehur për Gazeta Si se Dudaev ka edhe një mundësi tjetër për të siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë. “Kemi të kualifikuar deri tani për në Olimpiadë Zelimkhan Abakarov, shpresojmë që të njëjtën gjë të bëjë edhe Dudaev.
Sportisti ynë ka bërë një paraqitje shumë të mirë në kualifikueset që po zhvillohen në Azerbajxhan. Kemi edhe një mundësi tjetër në një aktivitet tjetër kualifikues për Lojërat Olimpike. Shpresoj shumë që Dudaev, kampion Europe pak kohë më parë, të jetë bashkë me Abakarov në Paris”, – ka thënë fillimisht Prizreni.

Numri 1 i Federatës së mundjes ka theksuar më tej se ka mundësi reale që mundja t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori. “Unë besoj shumë se kemi sportistë shumë të mirë në mundje, kampion bote dhe Europe. Besoj shumë se mund të fitojmë medalje në Olimpiadë. E them me bindje se mundësitë janë reale”, – thotë ish-mundësi për Gazeta Si.
Prizreni ishte iniciatori kryesor që dy çeçenët Abakarov dhe Dudaev të përfaqësonin Shqipërinë dhe koha i ka dhënë të drejtë, sepse të dy këta sportistë kanë fituar medalje.
“I kisha ndjekur si sportistë dhe këmbëngula që të vijnë të garojnë për Shqipërinë. Vendi ynë ka ligje dhe kushte të shkëlqyera për sportin. Vij vetë nga mundja dhe e di shumë mirë se çfarë kërkon një mundës. Abakharov dhe Dudaev janë dy sportistë model, frymëzim për më të rinjtë. Janë dy aspekte: sportiv dhe njerëzor. Dhe ata janë vërtet model në të dy aspektet.

Dikush mund t’i paragjykojë, duke thënë: erdhën këta t’u zënë vendin sportistëve shqiptarë… Nuk është aspak kështu, ata janë profesionistë të vërtetë, stërviten këtu me përjashtim të ndonjë faze përgatiore, jetojnë këtu dhe po japin gjithçka për Shqipërinë. Mundja është një sport që kërkon rivalitet për t’u rritur profesionalisht, pa rivalitet nuk mund të garosh në nivele të larta.
Ne me të drejtë krenohemi për sportistë të tjerë, për futbollin për shembull, edhe pse kemi lojtarë që nuk janë luajtur asnjë ditë në Shqipëri, apo një trajner të huaj. Kështu është edhe mundja, këta dy sportistë kanë nderuar flamurin shqiptar me tituj kampion bote dhe kampion Europe.

Besoj se do të kemi të tjera suksese nga mundja në aktivitete ndërkombëtare, ndoshta edhe me një sportist të tretë”, – është shprehur presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, duke paralajmëruar ndonjë surprizë të bukur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.