Gazeta Si – Një ciklon i vërtetë Arina Sabalenka. Tenistja bjelloruse fiton turneun e dytë Slam në karrierë dhe është sërish mbretëreshë e Melburnit. Ajo mundi bindshëm në finalen e Australian Open kinezen Zheng Qinwen, që dha gjithçka në një turne të nisur si numri 15 në botë dhe të mbyllur në top 10 (numri 7).
Sabalenka, pa humbur asnjë set në këtë turne, ruan kurorën duke përsëritur suksesin e 2023-shit në Melburn, që duket se është terreni i saj i preferuar. Përfundoi 6-3, 6-2 kjo finale, në më pak se 1 orë 20 minuta. Numri 2 i botës rifiton kështu pikët e vitit të kaluar dhe tani synon nga shumë afër kreun e klasifikimit, që mbahet nga Iga Shviatek.
Zheng, me shumë tifozë kinezë në Rod Laver Arena, tentoi të luante me agresivitet, duke qëndruar në vijën e fundit, edhe pse Sabalenka është një nga sulmueset më të forta. Kinezja pagoi nisjen e dobët, duke lejuar që bjellorusja të avanconte pa shumë probleme. Seti i parë u mbyll 6-3, edhe starti i të dytit ishte i dobët për Zheng, që në fund u dorëzua përballë fuqisë së Arina Sbalenkës.
12 muaj kanë qenë fantastikë për Sabalenkën, që ka fituar 2 Australian Open, ka shkuar në finale në Nju Jork dhe dy herë në gjysmëfinale, në Roland Garros dhe Uimbëlldon.
“Komplimente për Zheng, jam e sigurt se do të luajë shumë finale të tjera. Nuk mendoja se do ta fitoja sërish turneun, është shumë bukur”, – tha Sabalenka pas ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.