Jete & Stil

Sa ujë duhet të pini në ditë

Ju ndoshta mund të keni dëgjuar që keni nevojë për tetë gota ujë në ditë që trupi juaj të ‘jetë i kënaqur’ por kjo nuk është e vërtetë pasi sasia e ujit që duhet të pini në ditë varet nga disa faktorë.
Si lindi miti për standardin “8 gota ujë në ditë”?
Të gjithë organet tona përbëhen nga uji ku sipas Harold Mitchell biolog dhe kimist, truri dhe zemra përbëhen nga 73% ujë, dhe mushkëritë janë rreth 83% ujë. Lëkura përmban 64% ujë, muskujt dhe veshkat janë 79%, madje edhe kockat kanë 31% ujë.
Ideja që një person duhet të pijë 8 gota ujë në ditë për t’i mbajtur ato organe dhe tërë trupin të hidratuar është mjaft e njohur. Sidoqoftë, këto 8 gota për të cilat dëgjojmë kaq shpesh nuk janë një rregull por një sugjerim i përgjithshëm. Me gjasë u bë e njohur sepse duket se është e mesmja e artë për të gjithë. Në fakt, trupit tuaj mund t’i duhet më pak ose më shumë ujë.
Faktorët që ndikojnë në sasinë e ujit që ju nevojitet
Gjinia dhe mosha: Në mosha të ndryshme, trupi ynë përmban një sasi të ndryshme të ujit vetë. Kështu, i duhet një sasi e ndryshme e tij për të qëndruar i hidratuar. Gjinitë e ndryshme përmbajnë gjithashtu sasi të ndryshme uji në trup.
Pesha: Një studim i kryer në Universitetin e Miçiganit tregoi se të rriturit me rezultate më të larta të indeksit të masës trupore (BMI) kanë më shumë të ngjarë të jenë të hidratuar në mënyrë joadekuate sesa homologët e tyre me peshë normale. Ekipi hulumtues vëzhgoi një grup prej 9528 personave të moshës midis 18 dhe 64 vjeç duke përdorur të dhëna nga “Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimin e tyre” ku zbuloi se një e treta e individëve nuk pinte ujë mjaftueshëm si dhe u zbulua një lidhje midis pirjes së ujit dhe uljes së peshës.
Mjedisi: Nëse jetoni në mot të nxehtë, padyshim që keni nevojë për më shumë ujë dhe nëse jetoni afër detit ose oqeanit, ku lagështia është më e lartë, organizmi juaj do të kërkojë më pak ujë.
Ushtrimet: Nëse jeni një atlet ose thjesht ushtroni rregullisht, do të djersiteni më shumë sesa një person që ka një profesion të palëvizshëm. Kështu, duhet të zëvendësoni lëngun që humbni.
Gjithashtu, nuk mund të harrojmë për kushte të veçanta, të tilla si:
Shtatzënia dhe ushqyerja me gji: Gjatë shtatzënisë, sipas “Healthline” gratë duhet të pinë më shumë ujë se zakonisht.
Gjendja e përgjithshme shëndetësore: Probleme të tilla si ethe ose diarre e bëjnë trupin të humbasë ujë më shpejt se zakonisht. Është e rëndësishme të pini ujë për të parandaluar dehidratimin.
Si të llogarisni sasinë e ujit që ju nevojitet?
Sasia e ujit në litra që duhet të pini në ditë është e barabartë me peshën tuaj në kilogramë shumëzuar me 0,033. Pasi të llogaritni sasinë, mund të bëni një orar që do t’ju ndihmojë të mbani mend të pini aq ujë sa ju nevojitet. Për shembull, është më mirë të filloni ditën tuaj me një gotë ose 2 ujë në stomak bosh. Ndër të tjera, uji në mëngjes rrit energjinë tuaj dhe shpejton metabolizmin tuaj kështu, do t’ju ndihmojë të jeni mirë gjatë gjithë ditës.

Produkte që mund të zëvendësojnë ujin
Edhe pse ekspertët sugjerojnë të pini ujë në mënyrë që të merrni të gjitha lëngjet që ju nevojiten, disa njerëz nuk mund të pinë aq shumë ujë gjatë ditës.

Njerëzit mund të zëvendësojnë një pjesë të ujit me fruta dhe perime të ndryshme që përmbajnë shumë ujë ose me supë e cila po ashtu përmban lëngje. Shalqiri, portokalli dhe kastravecët përbëhen prej më shumë se 80% ujë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë