Prej dy ditësh në Shqipëri janë konfirmuar rastet e para për gripin e shpendëve, ndërkohë janë aktive tre vatra, në Dajt, Fushë Krujë dhe në një fshat të Tropojës.
Silva Bino ka shpjeguar në një mediet se risku që ky grip të kalojë tek njerëzit është i ulët.
“Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë ka nisur hetim epidemiologjik të hollësishëm por tanimë nuk duhet të druhemi që të mos konsumojmë mish pule dhe nën produkte të tij,” shpjegoi Bino.
Ekspertja ka shpjeguar gjithashtu se simptomat te njerëzit janë fare të lehta, të ngjashme me shenjat e gripit, rrufë, pak kollë dhe temperaturë.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar më herët se po monitoron situatën dhe theksoi se pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë u hartua një plan masash mbrojtëse.
Duke nisur me ndalimin e hyrjes së shpendëve nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Më pas duke ngritur Qendrën Kombëtare të Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit që të monitorohet çdo rast, e duke vijuar me ndalimin në rang kombëtar të tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla.
Çfarë është gripi i shpendëve?
Gripi i shpendëve është një infeksion që shkaktohet nga viruse të gripit normalisht tipik për to. Shpendët e egra i mbartin ato në zorrët e tyre, por zakonisht nuk sëmuren prej tyre. Megjithatë gripi i shpendëve është shumë ngjitës mes shpendëve dhe disa shpendë shtëpiak si pulat, patat dhe pulat e detit sëmuren rënde prej tij dhe ngordhin. Njihen deri në 15 nën-lloje të virusit të gripit të cilët prekin shpendët duke ofruar në këtë mënyre një rezervuar të madh të viruseve të gripit që potencialisht qarkullojnë në popullatat e shpendëve. Deri me sot të gjitha shpërthimet e formës shumë patogjenike janë shkaktuar nga viruset e gripit A të nën-llojeve H5 dhe H7.
Shpendët e sëmure kanë temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe heqje barku. Pas një periudhe disa-ditore inkubacioni (që është koha nga futja e virusit deri në shfaqjen e shenjave klinike të sëmundjes) të gjitha pulat në një pulari infektohen. Ato nuk bëjnë më veze dhe ngordhin brenda një kohë të shkurtër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.