Arsim

‘Sa shumë problematika ka’. Projektligji për shkencën, rektori Hoxha: Parimisht dakord që të ekzistojë por kështu siç është nuk zgjidh asgjë

Nga Gazeta Si- Projektligji për shkencën dhe kërkimin shkencor nuk zgjidh asgjë dhe bie ndesh me ligjin për arsimin e lartë dhe kushtetutën. Kështu është shprehur rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha në komisionin e edukimit.

Ai tha se një prej problemeve më të mëdha është se projektligji përfundimtar nuk është i njëjti që është konsultuar Konferenca e Rektorëve.

“Pasi ramë në dijeni të projektit përfundimtar dhe e rishikuam, konstatojmë se disa nga dispozitat e diskutuara janë me ndryshime nga versioni që na është dërguar ne dhe janë ndryshime që ne nuk i kemi konsultuar paraprakisht dhe e përkeqësojnë projektligjin”, tha Hoxha, duke shtuar se ai është parimisht dakord që të ketë një projektligj për shkencën por ky të jetë në përputhje me kushtetutën, parimet e përgjithshme të kërkimit shkencor, me direktivat e BE dhe me vetë ligjin për arsimin e lartë.

“Preken dy nene shumë të rëndësishme, ai i lirisë akademike dhe autonomisë që janë të garantuara me ligj dhe liria e kërkimit shkencor”, tha Hoxha.

Ai shpjegon se në ligjin ekzistues, nuk ka korniza për kërkimin shkencor dhe për këtë ka jurisprudencë europiane, ndryshe nga projektligji që e rëndon çështjen e autonomisë dhe lirisë dhe “kjo bën që ky projekt të bie ndesh me kushtetutën”.

Mbi të gjitha, thotë Hoxha, krijon norma që e kthen arenën juridike në një situatë kakofonie dhe bën që ligji të kuptohet ndryshe në situate të ndryshme.

“I gjithë potenciali që kanë universitet nënvlerësohet me projektligjin e ri”, thotë Hoxha, duke shtuar se nuk janë kundër projektligjit por në situatën që është nuk duhet të kalojë në seancë plenare “sepse ka probleme me kushtetutën, me lirinë e kërkimit shkencor dhe autonominë, ka përplasje me aktet ligjore në fuqi dhe në vetvete nuk zgjidh pothuajse asgjë”.

Nxitimi në miratim, tregon Hoxha, do ishte një gabim me pasoja që nuk do i dëgjojmë sot por pas ca kohësh.

Një problematikë tjetër që ngre Hoxha është se kërkimin shkencor do e drejtojë qeveria.

Hoxha tha në Komision se nuk mund të jetë vlerësues qeveria për kërkimin shkencor.

“Asnjë vend nuk e vendos qeverinë si vlerësues kërkimor. Po shiten si zbulime të mëdha ndërkohë që janë të vogla dhe kontradiktore”, tha Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë