Jete & Stil

Sa kushton vetëkontrolli? Fatura që paguan çdo njeri

Një ekip studiuesish ka identifikuar masat që marrim për të shmangur nevojën për të ushtruar vetëkontroll në jetën tonë të përditshme, gjetje që ofrojnë njohuri të reja mbi atë që motivon sjelljen njerëzore.

“Dështimi për të përdorur vetëkontrollin është një problem me të cilin përballen njerëzit çdo ditë, por ne dimë pak për proceset njohëse që qëndrojnë nën të ose gjatësinë që do të bëjmë për të shmangur nevojën për ta zbatuar atë,” shpjegon Candace Raio, pedagoge në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Nju Jork-ut.

“Në këtë studim, ne ishim në gjendje të përcaktonim çmimin që njerëzit janë të gatshëm të paguajnë për të eleminuar nevojën për vetëkontroll dhe të matim se si ndryshon ai nën nivele të ndryshme tundimi, stimuj motivues dhe ekspozimi ndaj stresit.”

Ajo thotë se qasja e tyre i lejon të indeksojnë kostot e vetëkontrollit të individëve nga momenti në moment, “duke ofruar një mjet për të informuar kërkimet psikologjike, ekonomike dhe të politikave shëndetësore,” shton Paul Glimcher, pedagog dhe drejtor i Institutit të kërkimit në Universitetin e Nju Jork-ut.

Shkencëtarët kanë argumentuar prej kohësh se përdorimi i vetëkontrollit kërkon përpjekje të konsiderueshme psikologjike dhe se dështimi i tij ndodh kur kostot njohëse të vetëkontrollit tejkalojnë përfitimet e tij të perceptuara. Sidoqoftë, deri më tani ai ka qenë kryesisht një shpjegim intuitiv dhe jo shkencor.

Për të kuptuar më mirë, studiuesit kryen një seri eksperimentesh që përcaktuan me saktësi se sa do të paguanin personat që po ndjekin një dietë për të shmangur ushqimin në rrethana të ndryshme, me qëllim të përcaktimit të një matjeje për “koston e vetëkontrollit”.

Në këto eksperimente, pjesëmarrësit raportuan më së shumti që ishin të gatshëm të paguanin para për të larguar nga vetja ushqimin që ju vendosej para tyre për 30 minuta.

Duke ekzaminuar pjesëmarrësit në një sërë kushtesh, studiuesit ishin gjithashtu në gjendje të demonstrojnë se kostoja e vetëkontrollit u rrit kur pjesëmarrësit ishin të stresuar dhe kur atyre iu ofruan stimuj motivues (një bonus monetar) për të shmangur ngrënien e ushqimit joshës. Në të dyja kushtet, pjesëmarrësit paguan më shumë për të hequr tundimin, një gjetje e rëndësishme për kostot ekonomike të stresit në kontrollin e sjelljes.

Në përgjithësi, studiuesit zbuluan se sa më joshës ushqimi, i përcaktuar nga vlerësimet e vetë pjesëmarrësve, aq më shumë këta pjesëmarrës ishin të gatshëm të paguajnë për të mos pasur nevojë të ushtrojnë vetëkontroll, duke sugjeruar se këto kosto pasqyrojnë nevojën e pjesëmarrësve për t’i rezistuar tundimit.

Përgjatë këtyre eksperimenteve, Raio dhe Glimcher ishin në gjendje të tregojnë se vetëkontrolli paguhet dhe në fund të ditës ka një faturë që paguan çdo njeri për tundimet e botës reale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë