Në disa vende si SHBA, bakshishi është bërë pjesë integrale e kulturës së punës dhe shërbimit.
Nëse jeni duke pirë një kafe, duke porositur ushqim apo duke qëndruar në një hotel, bakshishi bëhet pjesë e shpenzimeve tuaja.
Por ka vende ku bakshishi nuk inkurajohet dhe madje mund të kundërshtohet. Pra, si ta dini se me cilën kulturë po ndërveproni?
Në 162 vende, u studiuan tendencat e dhënies së bakshishit, duke parë fillimisht udhëzuesit e etikës së bakshishit të TripAdvisor për secilin vend, më pas duke iu referuar artikujve të tjerë për bakshish në ato vende.
Ndërsa kamarierët dhe banakierët në Shtetet e Bashkuara – i vetmi vend me bakshish të rekomanduar prej 20% – shpesh varen nga bakshishi për të plotësuar pagat, bakshishi në një restorant mund të konsiderohet një fyerje në Japoni, Kinë ose Korenë e Jugut, ku punëdhënësit përfshijnë standarde më të larta shërbimi si pjesë e pagave.
Kini parasysh gjithashtu se vlera maksimale e pritur mund të ndryshojë. Nëse jeni në një restorant në Kanada, Serbi ose Republikën Domenikane, bakshishi rreth 20% do të ishte në krye të gamës tipike të pritshme. Ndërkohë, 66 vende mirëpresin një bakshish prej 10%.
Shqipëria renditet ndër vendet me një tarifë bakshishi në restorante 10%.

Bakshish për strehim
Pavarësisht nëse jeni duke qëndruar jashtë vendit, mund të pritet bakshish që të merrni shërbimin më të mirë nga portieri, ndihmësit ose stafi i pastrimit.
Nëse jeni në SHBA ose Kanada, bakshishi për stafin për akomodimin, variojnë nga 2-5$ USD. Në ekstremin tjetër, në vende si Argjentina, Tajlanda dhe Sri Lanka, mjafton një bakshishprej 50 cent.
Për shumë vende të tjera në botë, duke përfshirë Brazilin, Meksikën dhe Indinë, etiketa dhe pritshmëritë e bakshishit zakonisht arrijnë në 1 derinë 2 dollarë për stafin e hotelit.
Në Shqipëri, etika e dhënies së bakshishit në hotele përcakton një vlerë 1-2$.

Bakshish për transport
Kur nuk udhëtojnë me makinë të marrë me qira, ose infrastrukturën publike, udhëtarët kërkojnë nga taksitë lokale dhe shërbimet si Uber dhe Lyft, mënyra të përshtatshme për të eksploruar vende të reja.
Është interesant fakti se si shoferët nuk presin asnjë bakshish në 88 vende të botës. Edhe Shqipëria renditet ndër vendet ku shoferët e taksive nuk marrin bakshish.

Në 21 vende, përfshirë Kanadanë, taksitë zakonisht paguhen 10% mbi çmimin e udhëtimit. Por, SHBA kryeson listën me një etiketë bakshishi prej 15% për udhëtimet me taksi.
Burimi: Visual Capitalist/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.