Me fillimin zyrtar të sezonit të festave, është e pashmangshme të mendosh për gotën e shampanjës për të festuar vitin e ri, gotën e verës së nxehtë për t’u ngrohur në tregjet e Krishtlindjeve, ose një gotë birrë për të ngrënë dolli me miqtë e vjetër.
Por pyetja e përhershme mbetet: sa duhet të pimë?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaron se, kur bëhet fjalë për alkoolin, asnjë nivel alkooli nuk është i sigurt për konsumim.
Agjencia shëndetësore e ka klasifikuar alkoolin si kancerogjen të Grupit 1, grupi me rrezikun më të lartë, i cili qëndron përkrah rrezatimit dhe duhanit.
Bashkimi europian është rajoni me konsumin më të lartë të alkoolit në botë dhe ku kanceri është tani edhe shkaku kryesor i vdekjes, sipas OBSH-së.
Në vitin 2023, konsumi vjetor i alkoolit për frymë në të gjitha vendet anëtare të Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD) ishte mesatarisht 8.5 litra alkool.
Letonezët, Portugezët dhe Rumunët pinë mbi 11.5 litra në vit dhe gati një e treta e vendeve regjistruan konsum për frymë prej 10 litrash ose më shumë.
“Rajoni Europian i OBSH-së nuk mund të lejojë iluzionin se konsumi i alkoolit është i padëmshëm”, tha Gundo Ëeiler, drejtor për parandalimin dhe promovimin e shëndetit në OBSH.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët pajtohen me këto vlerësime.
Një studim i kohëve të fundit nga Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) sugjeroi që pirja e lehtë e alkoolit nuk përbën rrezik për sëmundje koronare, goditje në tru ose dështim të zemrës. Madje tha se sasi të ulëta të alkoolit mund të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjes së arteries koronare.
Megjithatë, shoqata amerikane thotë: “nëse nuk pini alkool, mos filloni. Nëse zgjidhni të pini alkool, kufizoni sasinë e alkoolit që pini”.
Shoqata shton se, ndërsa disa kërkime sugjerojnë se nuk ka efekt ose madje nuk ka rrezik të reduktuar për sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru nga pirja e moderuar, të gjitha provat së bashku nuk mbështesin përfitimet për popullatën e përgjithshme.
“Ne fakt, për disa njerëz, edhe një deri në dy pije në ditë mund të rrisin tensionin e gjakut”, shkruan shoqata, duke shtuar se AHA nuk këshillon askënd të pijë për arsye që sjellin përfitime për shëndetin e tyre.
Sa alkool është “i sigurt”?
Ndërsa ekspertët bien dakord se pirja e tepërt dëmton trupin, ata nuk bien dakord se cila sasi, nëse ka, mund të konsiderohet “me rrezik të ulët”.
Shërbimi Ekzekutiv i Shëndetit(HSE), i cili mbikëqyr shërbimet e shëndetit publik në Irlandë, deklaron në udhëzimet e saj se njerëzit nuk duhet të pinë më shumë se 11 pije standarde në javë për gratë dhe 17 për burrat.
Organizata deklaron një pije standarde si një që ka 10g alkool të pastër. Kjo mund të jetë një gotë verë 100ml, ose 1 gotë birrë.
Organi irlandez rekomandon shpërndarjen e pijeve gjatë javës, duke pasur të paktën dy deri në tre ditë pa alkool në javë dhe duke shmangur më shumë se gjashtë pije në çdo rast të vetëm.
Estonia dhe Polonia e vendosin limitin në 40g alkool në ditë për burrat – ekuivalent me katër birra të vogla – dhe 20g për gratë.
Ministria spanjolle e Shëndetësisë është më e kujdesshme dhe rekomandon jo më shumë se 10g alkool në ditë për gratë, ekuivalent me një gotë, gjysmë gote verë ose një birrë të vogël dhe dyfishin e sasisë për burrat.
Letonia dhe Lituania shkojnë edhe më tej, duke këshilluar kundër konsumit të alkoolit në tërësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




