Nga Gazeta 'Si' - Rusia bëri me dije se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë aq konfrontuese, saqë qytetarët rusë nuk duhet të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe disa vende të Bashkimit Evropian, meqë rrezikojnë të ndiqen nga autoritetet amerikane.
Duke folur në një konferencë për gazetarët në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë në prag të prishjes.
“Në kontekstin e konfrontimit në rritje... udhëtimet në Shtetet e Bashkuara - privatisht ose për nevoja zyrtare - bartin rreziqe serioze”, tha Zakharova, transmeton Reuters.
“Ne ju bëjmë thirrje që të vazhdoni të përmbaheni nga udhëtimet në Shtetet e Bashkuara dhe shtetet satelitore aleate të tyre - përfshirë, para së gjithash, Kanadanë dhe vendet e Bashkimit Evropian me disa përjashtime - gjatë këtyre festave”, tha ajo.
Diplomatët rusë dhe amerikanë thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të këqija se në çdo kohë tjetër që nga kriza e raketave kubane, më 1962, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth luftës në Ukrainë.
Ato arritën kulmin e krizës muajin e kaluar, kur SHBA-ja dhe Britania e Madhe i lejuan Ukrainës t’i përdorë raketat e tyre për të goditur në territorin rus. Për rrjedhojë, Rusia uli pragun për përdorimin e armëve bërthamore.
Rusia dhe SHBA-ja akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për arrestimin e qytetarëve të tyre nën akuza të sajuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.