Lajme

Rusia drejt de-dollarizimit

Spektri i sanksioneve amerikane që do të godiste bankat ruse dhe borxhi sovran i Moskës duket në rënie, pikërisht falë ndërgjegjësimit të Thesarit Amerikan për impaktin që masat shtrënguese drakoniane mund të kishin, e nuk bëhet fjalë vetëm për Rusinë.

E megjithatë, de-dollarizimi i ekonomisë ruse – dëshira për të zvogëluar numrin e aseteve të ndjeshme ndaj rrezikut të sanksioneve të reja të mundshme – vazhdon rrugën: Banka Qendrore Ruse nuk e ka mbajtur asnjëherë të fshehtë, në muajt e fundit ka dashur të diversifikojë portofolin e saj të investimeve, pasi ka shkurtuar shpejt dhe në mënyrë dramatike katër të pestat (81 miliardë dollarë mes majit dhe qershorit) numrin e thesareve të mbajtura nga Moska, deri kohët e fundit midis dhjetë investuesve më të mëdhenj në letrat me vlerë të SHBA-ve.

Ekuilibrat të revolucionarizuar: vështrimi nga Pekini

Banka ruse publikon çdo muaj detajin gjeografik e valutor të investimeve në ar dhe rezervat ndërkombëtare: dhe tabloja që rezulton prej të dhënave të publikuara të mërkurën në mbrëmje – krahasuar me pranverën e kaluar – ndryshon ekuilibrat në mënyrë drastike. Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2018, rezervat ndërkombëtare ruse, në mesin e të parëve në botë (në qershor, 458 miliardë dollarë, aktualisht duke u rritur në 466.9) kishin transferuar 101 miliardë dollarë në euro, juan dhe jen, duke investuar ekuivalentin e 44 miliardë dollarëve në euro dhe juanë (për një total prej 147 dhe 67 miliardë), dhe 21 miliardë në monedhën japoneze. Në këtë mënyrë, pjesa kineze në shportën e monedhës rritet nga 0.1% një vit më parë në 5% në tremujorin e parë dhe në 14.7% në të dytin, ndërsa asetet në dollarë (gjysma, besohet se mbahen jashtë SHBA-ve ) bien nga 43.7% në nivelin historik prej 21.9% dhe ato në euro shkojnë në 32%. Për më tepër, sipas Morgan Stanley, në gjysmën e parë të vitit të kaluar Rusia ishte qartë blerësi kryesor i obligacioneve kineze.

Analistët e konsiderojnë këtë një zgjedhje strategjike nga pikëpamja gjeopolitike dhe jo ajo ekonomike. Dhe kjo ka bekimin e Vladimir Putinit, i cili më shumë se një herë ka bërë thirrje për kalimin në përdorimin e valutave të ndryshme prej dollarit në transaksionet ndërkombëtare: tranzicioni sigurisht jo i thjeshtë për një vend të angazhuar kryesisht në eksportin e lëndëve të para në tregjet globale, shkëmbim i bazuar në dollarin amerikan. “Ne nuk synojmë të distancohemi nga dollari,” tha Putini pak më shumë se një muaj më parë, “por ne duhet ta bëjmë atë. Dhe, unë ju siguroj, ne do ta bëjmë atë. Vetëm, ne nuk duam të bëjmë lëvizje të papritura që mund të na dëmtojnë. Nuk është që ne e lëmë dollarin, është dollari që na lë “.

Italia krahasuar me Francën dhe Gjermaninë

Raporti i Bankës Qendrore Ruse jep detaje mbi investimet e bëra në tremujorin e mbyllur në fund të qershorit 2018. Një pjesë e aseteve të transferuara në euro kanë lidhje me obligacionet e qeverisë franceze: pjesa e investimeve në Francë, sipas të dhënave të Bank Rossii , u rrit nga 12 në 15.5% të totalit në tremujor. Pjesa e aseteve gjermane paksa më e ulët në tremujorin e përmendur, nga 12.9 në 12.7. Në raportin që shoqëron të dhënat, Banka Qendrore i kushton një paragraf Italisë, duke shpjeguar se programi politik i qeverisë së re që mori detyrën në maj “përmban, ndër të tjera, një rritje radikale të deficitit buxhetor”. Një skenar që “kontribuoi në rënien e euros dhe gjithashtu në rritjen e kërkesës për obligacione qeveritare në Gjermani dhe Francë, më të besueshme në krahasim me ato italiane”.


*Burimi-Il sole24 ore


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë