Bota

Rusia dënon me 15 vjet burg për spiunazh një shtetas amerikan

Gazeta Si – Gene Spector, një shtetas amerikan i lindur në Shën Petersburg, u dënua nga një gjykatë në Moskë me 15 vjet burg për akuzën e spiunazhit.

I arrestuar në vitin 2020 me akuza për korrupsion, Spector po vuante tashmë një dënim me katër vjet burg.

Gazeta e pavarur ruse “Mediazona”, shpjegoi se Spector do të duhet të vuajë dënimin në një koloni penale të sigurisë maksimale.

Dënimit me burg i shtohet edhe një gjobë prej 14,116,805 rubla (afërsisht 140,500 dollarë).

Agjencia e lajmeve “Tass” raporton se në vitin 2020, Spector u deklarua fajtor për veprimin si ndërmjetës në shkëmbimin e ryshfeteve për Anastasia Alekseyeva, asokohe ndihmëse e ish-zëvendëskryeministrit rus Arkady Dvorkovich.

Me një të kaluar si kryetar i bordit të drejtorëve të grupit “Medpolymerprom”, Spector është një nga disa shtetas amerikanë të dënuar në Rusi vitin e fundit.

CNN kujton rastin e Stephen Hubbard, me origjinë nga Michigan, i dënuar me gati shtatë vjet burg me akuzën se kishte luftuar si mercenar për Ukrainën.

Robert Woodland, një shtetas amerikan me origjinë ruse, u dënua në korrik me 12 vjet e gjashtë muaj në një koloni penale të sigurisë maksimale me akuza në lidhje me trafikun e drogës.

Rasti më i famshëm, është ai i gazetarit të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i dënuar me 16 vjet burg, pasi u akuzua për spiunazh për CIA-n, ndërsa punonte në qytetin e Yekaterinburg në mars 2023, më pas u lirua në shkëmbimin historik të të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit, i cili u finalizua gushtin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë