Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se politika e jashtme “nuk është një reality show” dhe nuk mund të reduktohet në thjesht dëshira për paqe: “Ose e bën, ose nuk e bën”.
Këto komente ai i bëri gjatë një konference për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Kanada.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi besueshmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, Rubio theksoi se në politikën e jashtme vlejnë veprimet konkrete, jo fjalët boshe.
“Ose i bëni gjërat, ose nuk i bëni. Dhe kjo vlen për të dyja palët në çdo konflikt”, theksoi ai, duke shtuar se diplomacia kërkon pragmatizëm dhe pjekuri.
“Ndonjëherë duhet të gjesh marrëveshje me vende me të cilat nuk pajtohesh, e herë të tjera mund të kesh mosmarrëveshje edhe me aleatë historikë. Kjo ka ndodhur gjithmonë në histori”, tha Rubio.
Ai sqaroi se politika e jashtme nuk është politikë e brendshme, por një ekuilibër interesash kombëtare. “Ne duhet të jemi realistë, por pa humbur idealizmin tonë. Duhet të marrim vendime pragmatike”, u shpreh ai.
Rubio gjithashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten “me kujdes optimiste” për një armëpushim në Ukrainë. Ai iu referua takimit të fundit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff.
“Ka shumë punë që është bërë dhe shumë që mbetet për t’u bërë, por ka arsye për të qenë me kujdes optimist”, tha Rubio, duke lënë të hapur mundësinë për përparime në negociatat diplomatike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.