Libra

Ruaju nga Dashuria

Ruaju  nga dashuria….

Nga dashuria dhe gjarpërinjtë.

Nga dashuria, gjarpërinjtë dhe autostrada.

Nga dashuria, gjarpërinjtë, autostrada, liqeni.

Nga dashuria, gjarpërinjtë, autostrada, liqeni. Dhe zjarri.

Nga lakuriqët e natës.

Nga shtyllat e tensionit të lartë.

Nga filmat horror.

….Suedi, vitet ’70. Në një fshat të humbur pranë bregut të një liqeni, një vogëlushe me emrin Lo është vetëm 6 vjeçe kur takohet për herë të parë me Lukasin, natën e një zjarri të madh që kërcënonte komunitetin e tyre. Të dy fëmijë emigrantësh, të dy të dashuruar marrëzisht pas tokës, ata u bënë miq të ngushtë, pavarësisht pengesave të forta nga ana e familjes së Losë. Takohen fshehurazi në një shtëpi të braktisur buzë liqenit dhe të dy bashkë kalojnë verat kredhur në ujë dhe dimrat kruspullosur brenda shtëpisë, duke risjellë e ringjallur fragmente të filmit të tyre të preferuar “Deri në frymën e fundit”. Fëmijëria e Losë së vogël rrjedh pothuajse e qetë. E ëma gjithnjë e këshillon t’i ruhet dashurisë, por pa ia shpjeguar arsyen. Fjalët e së ëmës krijojnë brenda së voglës pyetje pa fund, të cilave nuk di t’u japë përgjigje.

Në çastin që Loja do të njihet me Lukasin 13-vjeçar, që mban përbrenda një plagë të pashërueshme, jeta e saj do të ndryshojë kryekëput.  Ajo që lind nga takimi i tyre i parë ngjan se është fillimi i një dashurie adoleshence, një dashuri plot ëndrra, që duket e destinuar të zgjasë përjetësisht. Ajo lloj dashurie që ëndërrojnë të gjithë, pa asnjë kompromis. Por adoleshenca merr fund shpejt dhe Loja e Lukasi gjenden të ndarë, miqësia e tyre do të marrë fund mes braktisjesh dhe tradhtish.

Loja vendos të lërë pas krahëve familjen, Lukasin dhe fshatin e saj. Se si mund të shkatërrohet një miqësi kaq e pastër dhe e pafajshme – dhe kaq rreptësisht e ndaluar – është një mister që shpaloset përgjatë udhëtimit të Losë në Berlin, Kopenhagë e deri në Nju-Jork, nga një takim dashurie në tjetrin,teksa duket e destinuar të endet nëpër një botë, të cilën e fajëson për ndarjen nga Lukasi. “Deri në frymën e fundit”,  sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”, është një roman i magjishëm, me humor dhe ndjenja të thella.

“Kjo përrallë rritjeje dhe formimi ka të gjithë përbërësit e duhur: seks, vdekje,fëmijëri të humbur; por dallohet për rrëfimin mbresëlënës”, ka shkruar kritika letrare e Daily Mail për romanin e Swärd.Laura Temple, nga “Irish Examiner” shkruan “Ndonëse, herë pas here, lexim disi i vështirë, historia provokuese dhe bindëse lidh mjeshtërisht marrëdhënien e prindërve të Losë me adoleshencën e saj, teksa eksploron këshillën e së ëmës “ruaju nga dashuria”.

Historia e dashurisë që na rrëfen Anne Swärd nuk ka asgjë tradicionale. Ndjenja që lidh Lonë me Lukasin është një prej atyre që të gjithë e kemi ëndërruar, të paktën një herë: e dinë që i përkasin përgjithmonë njëri-tjetrit, e dinë që s’mund të jetojnë pa njëri-tjetrin. Tragjedia është që e dinë edhe se nuk mund të jetojnë me njëri-tjetrin.

As me ty, as pa ty. Me hijeshi të jashtëzakonshme, shkrimtarja suedeze na shoqëron në këtë rrugëtim të trazuar dhe pa destinacion, që i shtyn dy protagonistët të luftojnë për të gjetur atë fill që i lidh në mënyrë të pazgjidhshme: pushtetin e fshehtë të dashurisë së tyre të mbrapshtë. Anne Swärd është shkrimtare suedeze mjaft e njohur në vendin e saj.

Ka debutuar më 2003 me një roman që u bë pjesë e finalistëve August Prize (çmimi më i lartë letrar skandinav). Romani i saj i tretë, “Deri në frymën e fundit”, u shpall romani më i mirë i vitit nga Bokcirklar’s Stora Läsarpriset (Çmimi i Lexuesve). Librat e saj janë përkthyer në mbi tetëmbëdhjetë gjuhë. Në vitin 2019, ajo u bë pjesë e Akademisë Suedeze.

…siç kishte lexuar diku, pasioni i dashurisë është një folie à deux. Tashmë, këtë e dinte nga përvoja e vet. Më e keqja ishte që mjaftonte të çmendeshin edhe vetëm përgjysmë të dy: përfundimi ishte sërish një çmenduri e plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë