Muzike

RTSH konfirmon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovizion/ Elhaida Dani: Nuk ka asnjë problem me pagesat

Nga Liridon Mulaj– Pasi Radio Televizioni Shqiptar publikoi listën me 28 artistë pjesëmarrës në Festivalin e 64-t të Këngës është rikthyer pyetja që po qarkullon prej kohësh: A do të marrë pjesë Shqipëria në Festivalin Europian të Këngës (Eurovision)?

Zëra të ndryshëm kanë aluduar se për shkak të borxheve të prapambetura ndaj organizatorëve të Eurovision-it, ekzistonte rreziku që vendi të mos ishte pjesë e këtij edicioni. Megjithatë, RTSH ka dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje.

Elhaida Dani: “Pjesëmarrja e Shqipërisë nuk është në rrezik”

Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani, në një prononcim për Gazeta Si.al ka mohuar çdo aludim mbi një mungesë të mundshme të Shqipërisë në Eurovision.

“Jo, nuk ka asnjë problem me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurosong. Ky është një konfirmim përfundimtar që kam marrë së fundmi,” – tha Dani.

Konfirmimi mbërrin edhe nga drejtoresha e financës në RTSH, Eva Kaçadej, e cila për Gazeta Si.al ka theksuar se procesi i pagesave është në përfundim dhe gjithçka po bëhet për të siguruar pjesëmarrjen normale të Shqipërisë në festivalin evropian.

Festivali i të rinjve…

Në listën e publikuar të pjesëmarrësve bie në sy mungesa e emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Në vitet e fundit, figura si Elvana Gjata dhe Elsa Lila kanë qenë në qendër të vëmendjes me pjesëmarrje të forta dhe pretendime të mëdha për fitoren. Edhe pse garat e tyre kanë nxitur shpesh diskutime për “fitore të paracaktuara”, juritë profesionale kanë rrëzuar këto spekulime me vendime të qarta.

Këtë vit, Festivali i Këngës duket se do të jetë një skenë e re për artistë të rinj dhe rikthime të njohura.

Mes emrave që do të garojnë këtë vit janë të shumtë artistët e rinj që marrin pjesë për herë të parë, si Egzon Pireci nga Prizreni, Iris Neziri, Threex, Sihana Haxhnikaj, Savjana Vjerdha, Sara Kapo, Rigersa Loka, Rezarta Smaja, Malvina Likaj, Kimi, Ghiti dhe Endri Kaçaçi. Surpriza e këtij edicioni është aktori Erand Sojli, i cili këtë herë do të ngjitet në skenë si këngëtar.

Në skenë do të ngjiten gjithashtu këngëtarë që edhe pse të rinj, janë tashmë të afrimuar si Fifi (në duet me Tiri Gjocin), Alis, i renditur i treti në edicionin e kaluar me “Mjegull”, dhe Vedat Ademi, që rikthehet sërish në garë. Në listë janë gjithashtu Evi Reçi, Sheila, Kamela Islamaj, Gerta Mahmutaj, Erik Lloshi, Enxhi Nasufi dhe Gresa Gjocera. Po ashtu rikthehen Lorenc Hasrama, Luna Çausholli dhe Kleansa Susaj, ndërsa grupi “2 Farm” vjen pas pjesëmarrjes së tyre në Festivalin e 61-të.

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH do të mbahet nën drejtimin artistik të Elhaida Danit dhe do të zgjasë katër net me radhë. Nata e parë dhe nata e dytë do të jenë netët konkurruese, nata e tretë do t’i kushtohet “Nostalgjisë”, ndërsa nata e katërt do të jetë Finalja e Madhe, ku do të shpallet fituesi.

Ashtu si edhe vitin e kaluar, gjatë muajit nëntor pritet të publikohen këngët konkurruese të artistëve, duke u dhënë mundësinë shikuesve të njihen paraprakisht me krijimet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë