Nga Gazeta ‘Si’- Radio Televizioni Publik Shqiptar është në krizë.
Aktualisht nuk ka një Drejtor të Përgjithshëm dhe Këshilli Drejtues pas shumë gabimesh e shkeljesh, është propozuar për t’u shkarkuar nga Kuvendi.
Kjo është hera e parë që kërkohet një shkarkim në bllok të këshillit dhe dëshmi e krizës së thellë drejtuese të institucionit. Por kjo nuk do të thotë se kjo krizë lindi tani. Thjesht, ajo fitoi përmasa më të mëdha ndërsa kriza në vetvete daton që 30 vite më parë.
Koha tregoi se RTSH nuk ka ditur të transformohet në identitet të qëndrueshëm dhe të mirëpëritur për sa kohë ka shfaqur të njëjtat simptoma sëmundje, që së fundmi i shfaqën sëmundje akute.
Ky institucion nuk është detyruar të jetë komercial dhe i tërhequr nga shikueshmëria siç e kanë tehun media private.
Por, megjithatë, kjo nuk e shmang nga detyrimi që nga njëra anë të rrisë audiencën dhe nga ana tjetër paralelisht të aplikojë një sistem menaxhimi eficent që ul kostot dhe rrit cilësinë e operimit.
RTSH edhe pse ka trashëguar stafe teknike të afta, me përvojë dhe integritet profesional, nuk ka ditur të maksimizojë leverdishmërinë në prodhim.
Për pasojë, edhe produket me përmbajtje të vlefshme për kombin janë cenuar nga kosto dhe pamundësitë për t’i mbështetur ashtu siç duhet. Është e kotë të hapësh një diskutim estetik për sa kohë ky televizion nuk funksionon dot më kështu siç është.
Momenti ka ardhur që çështja e funksionimit të RTSH të zgjidhet në qelizë. Deri tani, procesi është afër pikës ku, o bëhet kthesa, o vazhdohet kështu, sërish më të njëjtat problem, ndonëse me figura të reja. Që të fillojë kthesa, vendimmarrësit duhet ta kuptojnë qartë se sado njerëz të rinj, mendësi dhe cilësi të reja të marrësh, ata nuk mund t’i mbytësh brenda të njëjtës mënyrë organizimi dhe funksionimi.
Do të duhet të ideohet një mënyrë menaxhimi ndryshe dhe njerëzit që do të zgjidhen do të jenë shprehje e kësaj mënyrë të re. Është një proces paralel.
Nëse i hidhni një sy të shpejt organigramës së RTSH-së, lehtësisht vë re se është një kopje e shëmtuar e një modeli të vjetër që është tejngopur nga ndryshimet e shpeshta sa kanë humbur qëllimin.
Edhe emërimet e posteve janë po të vjetëruar, profilet e punës të cunguara, varësia e departamenteve e rrëmujshme ku humbet llogaridhënia, rekrutimet janë bllokuara nga kritere që nuk i përshtaten realitetit, llojet e punëve kanë mbetur shtamb dhe as nuk ka hapësirë për profilet e reja që kërkon sot një media moderne.
Vendimmarrësit nëse duan seriozisht të ndihmojnë dhe të zgjidhin krizën e RTSH duhet ta fillojnë së pari nga ligjet që rregullojnë funksionimin e këtij institucioni.
Bordet e ndërtuara në vitet ’90, ligjet dhe rregulloret janë të vjetra që nuk përputhen me zhvillimin e jetës social-ekonomike të Shqipërisë.
RTSH është sot një strukturë e vjetër sepse mbështetet nga një ligj i vjetër. Do riformatuar nga ligji i cili duhet t’i hyjë thellë reformimit deri në qelizë. RTSH duhet të mbetet një kompani shtetërore por me mënyrë të menaxhuari, si privat. Duhet një strukturë e re e cila duhet të mbështetet nga një ligj i ri që fillon me ndryshimin e kësaj pasurie kombëtare e cila duhet administruar me vizionin e 2030-ës.
Ligji duhet të ndihmoje në formatimin e një strukture të re të vogël kompetitive dhe që ruan vlerat kombëtare por dhe rrit dhe zhvillon talente në kohën e ndryshimeve të mëdha social-teknologjike.
RTSH ka nevojë për një bord të ri menaxhues dhe jo drejtuesish me interesa artistike që ndërthuren me veprimtarinë e kompanisë. Bordi duhet të ketë mendësi dhe njohuri të menaxhimit të RTSH si korporatë dhe jo vetëm si Këshill Artistik, dhe që duhet të ketë në përbërje edhe menaxherë, inxhinierë, juristë etj, profile këto të papërfaqësuara.
Nuk do të thotë se një gazetar i mirë, apo një artist i mirë është doemos edhe një menaxher i mirë. Vetë një media ka produktet që duhen të shquhen për estetikën, shijet artistike, vlerën komunitare, por proceset që krijojnë këtë produkt janë të tjera.
RTSH ka statusin e promovuesit më të madh të Shqipërisë. Pika përbashkuese e të gjithë opinioneve është se RTSH ka rëndësi kombëtare, ndaj, që të trajtohet si e tillë, duhet që së pari struktura e këtij televizioni të jetë sa më përfaqësuese në drejtim.
Ndihmojeni RTSH-në që të jetë korporatë dhe jo vend vegjetimi siç është kthyer në këto 30 vite!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.