Një i ri që u arrestua muaj më parë në parcelën me rrush ishte i vetmi person më i afërt me një parcelë me hashash. Ndaj kjo distancë e bëri atë të dyshuarin kryesor si kultivues ndonëse ai këmbëngul se po paragjykohet pasi policia pretendon që ai nuk kishte arsye të udhëtonte nga Tirana ku jeton, drejt fshatit Shpat.
I riu sipas dosjes që iu tregua Gazetasi.al këmbëngul se nuk është ai personi që e kishte mbjellë drogën me arsyetimin se nuk kishte kohë pasi ka fëmijë të vegjël që e prisnin në kryeqytet. Ai ka përdorur çdo argument të mundshëm.
Ndonëse nga ana e tyre autoritetet dhe sidomos policia që e gjeti në flagrancë thotë se 32 vjeçari I. L ka të gjitha premisat të bëhej kultivues droge pasi ishte i papunë,në fashikullin e vendosur në dispozicion për Gazetasi.al tregohet se si 32 vjeçari thotë se shikonte vetëm parcelën e tij dhe nuk i hidhte sytë se çfarë ndodhte në parcelën ngjitur, duke qenë se autorët ia kishin dhënë një mesazh.
Vreshtat sipas policisë janë gjithsej rreth 3 dynymë ku veç rrushit kishte mbjellë edhe ullinj në tokat që i riu i kishte të trashëguara nga gjyshi, por pa dokumenta.
“U ngrita nga gjumi dhe i hipa motorrit.Vajta tek vreshti dhe ngarkova makinën me rrush dhe bashkë me S. L dhe me djalin e mitur 4 vjeç ika. Aty dëgjova një zhurmë në pyll, erdhën dhe më lidhën duart me lidhëse këpucësh, duke më thënë ‘hajde me ne te parcela’. Kanë shkuar te parcela me hashash në mes të pyllit. Gjë tjetër nuk më thanë por e kuptova mesazhin. Nuk kam kaluar më aty dhe nuk kam parë bimë narkotike të mbjella në atë vend”, insiston i akuzuari si kultivues duke aluduar se i vunë kufirin duke e urdhëruar që mos të afrohej derisa të vilej hashashi.
Kjo e ka bërë atë të kujdesshëm teksa banorët e fshatit Shpat tregojnë vizitat gjithsej 6 apo shtatë herë gjatë verës të të riut që u largua nga vendlindja dhe që nisi të dukej gjatë vjeljes së rrushit.
Në dosje përmendet se nga ana e punonjësve të Postës se Policisë Farkë është përpiluar akti ‘raport shërbimi’ për kontrolle në njësinë Administrative Baldushk ku policia konstatoi në një ngastër 40 rrënjë bimë narkotike.
Në një nga parcelat u gjet një person, përmendet më tej, i cili mohoi të kishte lidhje me kanabis sativën. Por ai mësohet se u tradhëtua nga një radio në ngjyrë të zezë “Motorola”, me numër serial 018TMCK411 me bateri dhe karikues, e cila është sekuestruar me cilësinë e provës materiale.Pikërisht kjo radio e gjetur në banesën e të ëmës konsiderohet si provë nga autoritetet ndonëse nuk lidhet funksioni i saj me të dyshuarin.
Kryeplakut që iu kërkua llogari se përse nuk raportoi sipas ligjit kultivimin e drogës ka edhe ai një pistë të tijën.
“Kam marrë takim me inspektorin e rendit dhe i kam shpjeguar se se kishte lëvizje të dyshimta të personave që nga larg nuk i dalloja dot sepse nuk hyj dot në atë zonë, pasi familjet që rrinë aty pranë janë në hasmëri me të.”
Kryeplaku thotë se nuk ka dijeni se kush mund ta kishte mbjellë bimën narkotike.
Banorët e tjerë në fshat pranojnë se i riu që u arrestua ishte kthyer në vendlindje gjatë verës dhe ju kishte thënë në kafene se vinte vazhdimisht nga Tirana duke qenë se kishte një vresht. Por sipas tij përpos kujdesit për vreshtin, ai kujdesej edhe për të ëmën.
“I. na ka thënë se vinte shpesh në fshat për të takuar nënën dhe për të punuar vreshtin. Ai jeton afër shkollës së Policisë në Sauk”, tregon sipas dosjes që disponon Gazetasi.al njëri nga banorët.
Por sipas të dhënave të policisë gjyqësore ai është i dyshuari kryesor si kultivues pasi rruga që ndoqi ky shtetas për t’u larguar të çonte te një gropë me ujë, në të cilën gjendej një tub që e çonte ujin te parcelat e mbjella me bimë të dyshuara si narkotike, çka tregonte se ai mund të ishte autor i veprës penale.
Vendi ku ai u gjet, dukshëm është një vend krimi, insiston policia duke kundërshtuar versionin e të riut që pretendon se po e paragjykojnë pasi nuk ka asnjë të dhënë që e lidh atë me parcelat pranë vreshtave.
“Nuk ka asnjë shpjegim bindës dhe të logjikshëm për prezencën e të dyshuarit aty” thotë policia sipas të cilës shpjegimi i tij se ka të kultivuara vreshta me rrush, mbetet i pa verifikuar deri në këtë moment, si për ekzistencën e këtyre vreshtave në pronësi të personit nën hetim, si për vendndodhjen e tyre ne raport me vendin ku ai u kap.
Duke përmendur profilin e të riut thuhet se personi nën hetim jo vetëm që nuk rezulton të ketë një burim të ardhurash në familje, por njëkohësisht ai ka paraqitur prova që është debitor për shkak të një kredie të marrë. Po ashtu, ai është kryefamiljar i një familjeje me katër persona (bashkëshortja dhe dy fëmijët e mitur), çka i shton shpenzimet e tij thotë policia në referimin ndaj 32 vjeçarit i cili kundërshton etiketimin dhe hetimin disa mujor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.