Ndonjëherë fati është ai që vendos të ardhmen e njerëzve. Herë të tjera është pasioni, puna, vullneti dhe dëshira ato që vulosin një sukses.
Adrian Limani, fotografi 30-vjeçar nga Presheva, nuk e la të ardhmen e tij në dorë të fatit por “nxitoi” të kuptonte se çfarë do të bënte në jetë: Rrugën e tij e nisi në Facebook ndërsa tani shikon fotografitë e tij në revistat dhe gazetat më të njohura botërore.
“Artet në përgjithësi më kanë pëlqyer; piktura, muzika, dizajni grafik, fotografia”, thotë Limani për Gazetasi.al.
Ai tregon se para se të niste me fotografinë, në fillim është marrë me dizajne grafike të ndryshme. Kur ishte fëmijë shikonte emisione arti ku kujton se emisioni i tij i preferuar ishte “Art Attack”, i cili bënte gjëra të ndryshme artistike dhe pastaj Limani mundohej t’i imitonte. U rrit duke përqafuar artin dhe në vitin 2009 “u konfirmua” fotograf.
Në atë kohë Limani ishte në gjimnaz dhe duke e kuptuar çdo ditë e më shumë pasionin e tij, ai krijoi një faqe në facebook bashkë me disa miq për të postuar fotografitë që bënin në atë kohë. “Duke marrë komente pozitive nga njerëz të ndryshëm që ndiqnin postimet tona, kjo më motivoi edhe më shumë që pasioni për fotografinë të rritet çdo ditë e më shumë”, thotë Limani.
Pas tre viteve punë, ai tregon për Gazetasi.al se kishte një portofol të pasur me çdo gjë që kishte bërë sa i përket llojit “Fine Art” të fotografisë. Në vitin 2012 një gazetar e kontaktoi për të bërë një intervistë në lidhje me koleksionin me fotografitë në poç elektrik, një koleksion ku tregoheshin stinët në një poç. Pastaj ajo intervistë përfundoi në Daily Mail. Pastaj pas disa muajve përsëri dha një intervistë tjetër për koleksionin me hënën “i cili është një nga më të publikuarit dhe më të famshmit që kam bërë”.
Kulmin e arritjeve e pati në vitin 2014 ku fitoi medalje të artë në kategorinë e fotografive eksperimentale në një nga kompeticionet më të mëdha të fotografisë Trierenberg Super Circuit i cili mbahet në Linz të Austrisë.
“Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme pasi isha i vetmi shqiptar në atë konkurs dhe isha fituesi më i ri në moshë, në atë kohë 23 vjeç. Ishte një nder të prezantohem si fotograf shqiptar dhe ta shpalos zhvillimin e fotografisë në vendin tonë”, thotë Limani i cili tregon për Gazetasi.al se me Shqipërinë ka një lidhje të veçantë pasi në kohën e luftës ka jetuar në Tiranë për 1 vit ku edhe ka mbaruar klasën e parë në shkollën “Kosova” në Tiranë. Nuk kanë munguar dhe ekspozitat personale dhe ato me fotografë të tjerë. Po ashtu dhe në Kosovë ka jetuar disa vite kështu që kujtimet dhe dashuria do e bëjnë gjithmonë të përfaqësohet si “fotografi shqiptar” dhe arritjet e tij t’i prezantojë si arritje nëpër botë nga një shqiptar.
“Deri më tani fotografitë e mia janë publikuar në qindra revista, gazeta dhe portale disa nga më të njohurat janë: Daily Mail, The Sun, The Australian, CNN, BBC, RTL, Rolling Stones, Times, N-Photo, Photography Monthly, Bild, Blick etj”, tregon Limani.
Limani ka kryer shkollën për shkenca kompjuterike, punon në marketingun digjital dhe të dyja këto e lidhin ngushtë me botën e fotografisë ku pret që në një të ardhme të jetë fituesi i çmimit IPA, një çmim që njihet si “Oscars” i fotografisë.
Ndërkohë që shijon sukseset, Limani ka krijuar “Fotohoot”. “Është një komunitet në web të cilin e kam lançuar disa javë më parë dhe është enkas për fotografët”, tregon ai. Komuniteti ka synim të jetë ndërkombëtar dhe ideja është që fotografët dhe gjithë të tjerët mund të bisedojnë mbi të gjitha llojet e temave në lidhje me fotografinë, qoftë diskutime rreth kamerave, kompanive, lajmeve të ndryshme, të kërkojnë ndihmë e ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Mund të krijojnë një profil ku mund të ndjekin njëri-tjetrin, mund të ndjekin tema të ndryshme dhe mund të ndjekin vetëm ato që ata dëshirojnë. Në profilet e tyre mund të lidhin edhe profilet që kanë në rrjetet e tjera sociale në mënyrë që të tjerët të kenë mundësinë t’i ndjekin kudo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)













