Lajme

Rruga u prish shtëpitë, banorët te “Astiri” dalin në protestë

Dhjetra banorë të zonës së Astirit në Tiranë kanë bllokuar për disa minuta këtë të dielë të dyja kahet e rrugës së Unazës së Madhe.

Bllokimi i rrugës u bë në shenjë proteste kundër projektit që zgjeron këtë aks me rrugë dytësore, që banorët thonë se u prekin banesat.

Protestuesit akuzojnë se banesat po u prishen pa asnjë lajmërim paraprak, ndërsa sulmuan Kryeministrin Edi Rama, që sipas tyre, u kishte dhënë fjalën se nuk do t’u prisheshin shtëpitë.

“Jemi në qiell të hapur. Do na lënë në rrugë”, deklaruan banorët.

Ata shprehen të pakënaqur edhe nga vlerësimi financiar që qeveria u ka bërë pronave që preken nga ky projekt.

Kjo ishte dita e dytë e protestës së tyre. Një ditë më parë ata paralajmëruan se do të bllokonin këtë aks rrugor, ndërkohë që shprehen të vendosur për të vazhduar protestën e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje me qeverinë.

Por, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se projekti për rikualifikimin nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja është transparent, zyrtar dhe se nuk ka kthim pas.

“Projekti është zyrtar dhe publik. Me zhvillimin e garës e cila gjithashtu ka qenë publike, janë përcaktuar firmat fituese që do zbatojnë projektin. Në përputhje me përcaktimet ligjore e nënligjore po veprohet në territor nga organet përkatëse të përfshira në proces si kordinim mes ARRSH, IKMT, Aluiznit, Bashkisë Tiranë”, thuhet në njoftimin e ARRSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë