Menaxhim

Rruga Kombinat-Plepa në rindërtim, Rama: I erdhi radha! Shumë pozitive për Tiranën dhe Durrësin

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, inspektuan kantierin e rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa.

Ky projekt është në fazën e rindërtimit, e do të vazhdojë në tre faza, si një vepër shumë e rëndësishme jo vetëm nga ana infrastrukturore por edhe për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe agroturizmit që po merr zona.

Gjatë inspektimit ministrja Balluku shprehet se ka pasur një ecuri të mirë në punime dhe pretendohet që të mbyllet brenda muajit dhjetor e të dorëzohet majin e vitit të ardhshëm.

“Pjesa e rëndësishme është që pavarësisht se rruhet gjurma në tërësinë e saj, në zonën e urës së Beshirit ndërtohet një urë totalisht e re, duke eliminuar këtu edhe kthesat e ngushta që kemi në atë pjesë. Për shkak të ecurisë së mirë që kanë pasur punimet pretendojmë ta mbyllim brenda muajit Dhjetor. Ecuria është shumë e mirë, është 30% i të gjithë volumit. Afati i dorëzimit është 16 Maj i 2026, por synimi ynë është që ta mbyllim para natës së vitit të ri 2025 këtë fazë të parë. Kjo do të jetë një rrugë e kategorisë C dhe shpejtësia në këto rrugë shkon deri në 100 km, sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat e sigurisë rrugore dhe duke pasur parasysh që kjo zonë është me një dendësi të madhe banimi dhe biznesesh”, u shpreh Balluku.

“Është një nga akset e shumëkërkuara që i erdhi radha dhe i cili do të jetë një aks me profil turistik. Ne besojmë shumë që zhvillimi i agroturizmit do të jetë shumë pozitiv edhe për ekonominë e kryeqytetit dhe për ekonominë familjare këtu, pasi është një zonë që do të përfitojë shumë nga rritja e turizmit dhe nga flukset që shkojnë drejt Tiranës apo Durrësit”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë