Gazeta Si – Pakot me para të përftuara nga aktiviteti kriminal janë transportuar nga Bari i Italisë në Shqipëri, përmes agjencive të transportit me autobus.
Kështu u deklarua këtë të mërkurë në konferencën e përbashkët të zyrtarëve të drejtësisë italiane e shqiptare, pas megaoperacionit “Ura” që çoi në arrestimin e 52 personave.
“Kemi arritur të filmojmë që personat nga Italia ia besonin paratë agjencive të transportit me autobus, që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet për eliminimin e vështirësive në kalimin e kufijve është arritur përmes shkëmbimit të informacionit, janë kryer lokalizime përmes GPS. Kemi arritur të shohim paratë që nga Italia, Bari, shkonin te shoferët e autobusëve. Nga autobusi vinin në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të gjitha të dhënat e marra nga chat-et, fotografi të këtyre bisedave në celular. Përveç lëndëve narkotike edhe pako me para e letra të shkruara me dorë për të dhënat ekonomike të grupit”, tha një nga prokurorët italianë gjatë konferencës së përbashkët në SPAK.
Siç duket nga video e siguruar nga GazetaSi,al, është sekuestruar një sasi e madhe parash, të ndara në pako të ndryshme me prerje të ndryshme, nga 100, 50, 20 dhe 10 euro.
Nuk kanë munguar edhe përgjimet që janë zhvilluar në Shqipëri. Autoritetet kanë zbuluar edhe fletë me llogari të shitjeve të drogës.
Ndërsa kokaina pasi është presuar u janë vendosur edhe shenja. Disa mbajnë mbishkrimin “Paris” apo “Leon”, të tjera logon e “Audit”. Emërtimet nënkuptonin grupet kriminale ku do të dërgohej droga.
Lënda narkotike kokainë nisej nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit në Holandë dhe më pas në Bari të Italisë. Nga aty shpërndahej në qytete të tjera të Italisë, por edhe shtete të tjera të BE.
Ndërkohë, heroina dërgohej nga Shqipëria në Itali përmes autobusëve të linjave të Barit dhe jo vetëm, të cilët lëviznin përmes trageteve. E njëjta rrugë përdorej nga autobusët për sjelljen e shumave të parave në Shqipëri.
Grupi kriminal i goditur i shqiptarëve i kishte rolet e ndara, sipas funksioneve që kryenin, nga porositësit tek ata që kalonin lëndën narkotike për në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.