Qytetarët shqiptarë do të paguajnë për Rrugën e Kombit edhe 9.4 miliardë lekë për 13 vitet e para të kontratës në formën e subvencionit për trafikun e munguar dhe nga këto, mbi 4 milionë euro do t’i jepen kompanisë për defektet e fshehura të kontratës.
Qeveria shqiptare ka vendosur që prej buxhetit të shtetit të disbursojë ndaj kompanisë koncesionare Albanian Higwëay Concession (kompanive Kastrati dhe Salillari) një shumë prej 563 milionë lekësh ose 4,4 milionë eurosh, si kompensim për defektet e kontratës.
Kohëzgjatja e kontratës mes Qeverisë shqiptare dhe koncensionarit do të jetë 30 vjet.
Por sipas Ministrisë së Infrastrukturës, fatura financiare shtesë që do të paguajë buxheti i shtetit është paketa e lehtësimit që është hartuar për banorët e Kukësit dhe kjo do të jetë e rifreskueshme çdo vit dhe nuk mund të ketë një shifër standarde.
Ministria thotë se në kontratë mes qeverisë dhe koncensionarit është parashikuar që pjesa e mbetur e trafikut të parealizuar do të paguhet nga buxheti, kurse teprica do të ndahet mes buxhetit dhe koncensionarit në mënyrë të barabartë.
Por, thotë Ministria, trau në Rrugën e Kombit është vendosur në 17 shtator dhe të dhënat paraprake tregojnë se nuk ka rënie në trafik. Megjithatë, vazhdon Ministria, sipas studimit të fizibilitetit, është parashikuar që në dy vitet e para si pasojë e efekteve psikologjike, do të ketë humbje në trafik, por që do të rikuperohet në vitin e tretë e në vazhdim.
“Nëse e ke marrë veprën dhe është dorëzuar, nëse zbulohen defektet e fshehura, do të duhet t’i mbulosh, siç është punimi në tunel. Pjesa tjetër nuk është provuar, është ende herët”, shprehet Ministria.
Për herë të parë për rrugën që do të shkurtonte lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës u fol në vitin 1999. Qeveria e atëhershme e drejtuar nga Pandeli Majko vendosi një taksë, e njohur tashmë si “taksa Majko” dhe të ardhurat që do të grumbulloheshin prej saj do të shkonin për ndërtimin e rrugës. Një taksë mjaft e debatueshme, pasi ende nuk dihet se ku shkuan paratë që u mblodhën. Në vitin 2003, Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit për autostradën Durrës-Kukës-Morinë. Një vit më pas, ish-qeveria socialiste vendosi transferimin e taksës së përkohshme ‘Majko” në dy taksa të tjera, duke e menduar si zgjidhjen më të mirë, për të zëvendësuar plotësisht të ardhurat e munguara nga heqja e taksës me destinacion.
Në gusht të vitit 2006, u bë edhe tenderi për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rreshen Kalimash të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Me 14 korrik 2006, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën “Prokurim i hapur ndërkombëtar” për ndërtimin, me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Rreth dy javë më pas, më satësisht në datën 2 gusht 2006, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për listën e anëtarëve të komisionit ndërkombëtar të vlerësimit për tenderin e hapur ndërkombëtar, për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, në bazë të propozimit të konsulentit ndërkombëtar Ecorys Group (Ecorys Netherland BVShoqëritë pjesëmarrëse në këtë tender ishin: STRABAG AG Austri, BECHTEL LTD SHBA, AL KHARAFI GROUP Kuvajt dhe KONSTRUKTOR Kroaci. Në datën 4 gusht 2006, Komisioni deklaroi fituesin kompaninë Bechtel and ENKA.
Në 27 shtator 2006, Qeveria shqiptare nënshkroi kontratën me kompaninë Bechtel & Enka për të nisur punimet e ndërtimit të kësaj vepre madhore. Në muajin shkurt u realizua shpërthimi i parë në tunelin e Kalimashit. Më 25 qershor 2009, u hap edhe galeria veriore e këtij tuneli, për t’u mbyllur sërish në muajin tetor, për shkak të disa shembjeve që përbënin rrezik për udhëtarët. Në 21 maj 2010, qeveria hapi galerinë jugore të Tunelit të Kalimashit, për të arritur në përfundimin e plotë të kësaj vepre katër muaj më vonë.
Ndërtimi i rrugës ka shkaktuar debate të shumta, për shkak të kostos së lartë. Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se rruga u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 98.7 miliardë lekë dhe ka qenë arsyeja e kapërcimit të borxhit shqiptar mbi nivelin e 60 për qind të GDP-së në periudhën 2007-2010, kur edhe u ndërtua.
Rruga paguhet për herë të katërt
Sikur të mos mjaftonte “taksa Majko” dhe fondet e ndërtimit të rrugës në vlerën e 98.7 miliardë lekëve, në vitin 2014 ish-qeveria Berisha vendos një taksë për qarkullimin, 8 lekë mbi cdo litër karburant të shitur. Destinacioni ishte mirëmbajtja e rrugëve. Një vit më pas, pas ardhjes në pushtet, kryeministri Rama do ta rriste edhe me 10 lekë taksën e qarkullimit dhe po me 10 lekë, e njëjta taksë do të rritej sërish në vitin 2016. Pra, në harkun kohor të dy viteve, rritje me 20 lekë për litër. Kjo do të shënonte edhe herën e tretë që paguajmë për mirëmbajtjen, edhe pse fondi ka si destinacion të gjitha rrugët dhe jo vetëm atë të Kombit.
Aktualisht qytetarët paguajnë tarifë shërbimi sa herë kalojnë traun në Kukës.
Taksimi
Klasa 1 motorr – 2.5 Euro
Klasa 2 veturë – 5 Euro
Klasa 3 autobus & kamioncine – 11.2 Euro
Klasa 4 kamion i mesëm – 16.2 euro
Klasa 5 kamion i rëndë – 22.5 euro
Rruga e Kombit me sa duket shënon rastin e parë në historinë e financimit të veprave publike me koncesion që do të administrohet dhe mirëmbahet me pagesë direkt nga përdoruesit. Sipas parashikimeve nga kontrata, të ardhurat e kompanisë pritet të jenë rreth 400 milionë euro gjatë 30 vjetëve, nga të cilat rreth 338 do të financohen nga taksat dhe 66 milionë euro nga buxhetit i shtetit, kryesisht për trafikun e munguar.
Koncensionari do të mirëmbajë vetëm aksin Milot – Morinë prej 110 kilometrash nga 160 kilometra që ka autostrada Durrës – Morinë.
Subvencioni total i Rrugës së Kombit në lekë
Subvencioni i Kontratës koncesionare ”Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë” 8,580,000,000
Supervizion i kontratës koncensionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë 290,412,000
Defekte të fshehura të kontratës koncesionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë 563,000,000
Totali 9,433,412,000
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.