Lajme

Rrogozhinë, Nuredini dorëzon në mënyrë paqësore bashkinë

Ndryshe nga gjithë kryebashkiakët e djathtë që nuk lirojnë zyrat derisa të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, njëkohësisht anëtar i kryesisë së PDIU, Beqir Nuredini, edhe pse theksoi se 30 qershori është i pavlefshëm, e ka liruar zyrën në mënyrë paqësore.
Nuredini i dorëzoi sot zyrën kryetarit të ri të dalë nga votimet e 30 qershorit, Haxhi Memollës.
Beqir Nuredini mësohet të jetë shprehur se “nuk do të përplasë njerëzit e qytetit të tij, për një karrige”.
“E konsiderojmë të pavlefshëm të gjithë këtë proces për aq kohë sa dhe dekreti i Presidentit është akoma në fuqi. Unë nuk kam ndërmend të përplas njerëzit me njëri-tjetrin për sa kohë jam bashkëqytetar dhe jetoj në të njëjtin qytet me ta, kështu, kam vendosur ta liroj paqësisht këtë godinë me këtë arsyetim, besoj, të logjikshëm”, është shpreh Nuredini.
Haxhi Memolla nga PS ishte kandidati i vetëm në votimet e 30 qershorit, të cilat u bojkotuan dhe nuk njihen nga opozita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë