Politike

Rritja e çmimit të naftës, Rama: Do ndërhyjë shteti që të lehtësojë barrën e qytetarëve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para gazetarëve, u ndal edhe te kriza e naftës si pasojë e luftës në Iran.

Sipas tij, krijimi i një faktori të ri shtetëror në treg, do të lehtësonte barrën për qytetarët.

Rama tha se duke vënë në dispozicion kapacitetin e shtetit, sipas tij do të jetë më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën që të kenë qëndrueshmëri më afatgjatë.

“Unë e kam shprehur që qysh kur kemi bërë mbledhjen e parë të asamblesë qeverisëse pas zgjedhjeve, që është krijimi i një faktori të ri shtetëror në tregun e naftës, një forcë publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar komplet qasjen për fluturimet ajrore.

Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit. Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, është Tirana, dhe kjo është një arritje e kësaj qeverie, me gjithë ata që na duan të vdekur, por sa më shumë të vdekur na duan, aq më shumë gjallërohemi.

Ne do të krijojmë faktorin publik, forcën e shtetit do ta fusim në tregun e naftës dhe do japim shembullin, si dhe në tregun e naftës gjërat do të ndryshojnë. Duke vënë në dispozicion kapacitetin e shtetit, do të jetë më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompanitë që shpërndajnë naftën që të kenë qëndrueshmëri më afatgjatë”, tha ai.

Kreu i qeverisë foli edhe për ligjin e rezervave.

“Sot kemi në proces ligjin e rezervave; kur e diskutuam para vitit 2020, u hodhën shumë tenxhere. Në ligjin që është në konsultim publik, e kemi përcaktuar që rezerva do të shkojë në tre muaj, por kjo nuk mjafton më si masë sigurie. Qytetarët meritojnë një treg nafte që të jetë më i përballueshëm se tregu sot”-u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë