Menaxhim

Rriten rezervimet: Heqja e masave po i jep vrullin e munguar turizmit shqiptar

Heqja e të gjitha masave të Covid-it dhe renditja krah shteteve “Covid Free” po i jep menjëherë efektet e para pozitive në turizmin shqiptar sipas tur-operatorëve.

Ata e kishin kërkuar prej kohësh heqjen e detyrimit që turistët të paraqesin dokument vaksinimi, testim negativ apo certifikatë shërimi për të gjithë shtetasit që vizitojnë Shqipërinë.

Moslejimi i muzikës pas orës 23:00 ishte një tjetër masë që sipas tyre pengonte mbarëvajtjen e sezonit turistik. Ky vendim pritet të jetë faktori kryesor që do ta bëjë turizmin e këtij viti të jetë ca më afër asaj që njihnim para COVID-19.

Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut, thotë për Gazetasi.al se ndonëse është herët për një pasqyrë të qartë duke qenë se masat kanë hyrë në fuqi para dy ditësh(1 maj), trendi duket shumë pozitiv dhe kjo heqje e masave po i jep vrullin e munguar turizmit shqiptar.

Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut

“Kanë filluar menjëherë rezervimet e para dhe shtetas të ndryshëm po na kontaktojnë nëpërmjet email-it. Tashmë jemi renditur krahas shteteve të rajonit që gjithashtu i kanë hequr këto masa gjë që për ne është shumë e rëndësishme.

Turistët mund të vijnë rehat dhe nëse trendi vijon kështu, rezervimet do të rriten në numër”, shprehet ai për Gazetasi.al.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar thotë se këto masa u hoqën pas kërkesës që ata i bënë qeverisë.

Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik

“Prej kohësh kemi kërkuar që të hiqen masat dhe jemi shumë të lumtur që më në fund tashmë do të shmangim burokracitë e testeve në kufi apo në aeroporte. Ishte gjëja më e domosdoshme për t’u bërë pasi bizneset kanë nevojë për ndihmë dhe njëkohësisht duhet që turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë t’u krijohen kushtet për argëtim.

Ishin ca barriera që duheshin eleminuar që vitin e kaluar kur vende të rajonit si Kroacia ishin ende të mbyllur dhe ne mund të tërhiqnim turistët e tyre.

Një problem tjetër i masave ishte që ata krijuan probleme edhe në respektimin e marrëveshjeve me operatorët ndërkombëtarë që furnizojnë vendin tonë me turistë”, thotë ai për Gazetasi.al.

Kasa shton se lejimi i muzikës do t’u shërbejë më shumë bizneseve duke qenë se me afrimin e stinës së verës, errësohet më vonë dhe darkat ngelen më të frekuentuara.

Komiteti i Ekspertëve për Covid-in njoftoi më 26 prill heqjen e masave

Operatorët thonë se turistët që kishin bërë rezervime më parë janë kontaktuar nga vetë agjencitë të cilat i kanë lajmëruar për heqjen e masave.

“Turistë të tjerë që i kemi pjesë të target grupit tonë dhe që përgjithësisht vijnë thuajse çdo vit në Shqipëri, qoftë edhe për fundjava, i kemi lajmëruar paraprakisht.

Përgjigjia e tyre ka qenë menjëherë shumë pozitive dhe kanë nisur të rezervojnë për qërshorin dhe korrikun sepse të gjithë janë të lodhur nga testet në kufi dhe mosvijimi i aktiviteteve pas orës 23:00”, thonë për Gazetasi.al nga Matias Travel.

Kasa thekson se turistët që do të vijnë pas heqjes së këtyre masave do jenë përgjithësisht të njëjtët.

“Ne tashmë kemi krijuar një bazë të perhershme turistësh që përgjithësisht janë ata të turizmit të organizuar dhe që vijnë me charter.Kryesojnë nordikët, polakët dhe zviceranët”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa Bedini shton se e vetmja gjë që do të pengojë sezonin turistik të kesaj vere është lufta në Ukrainë.

“Tre vitet e fundit kemi patur 42 mijë turistë nga ukrainas që vinin me charter, gjë që luajnë një peshë të konsiderueshme pasi këtë vit nuk i kemi më. Jemi shumë me minus nga ky treg të cilin po e ndjen më shumë Vlora. Vitin e shkuar në këtë kohë ishim të angazhuar me ta. Merreshim me rezervimet, akomodimin e tyre nëpër hotele ndërsa në këtë periudhë jemi bosh nga ai drejtim”, shprehet ai për Gazetasi.al.

Megjithatë, parashikimi për këtë verë mbetet shumë optimist.

Operatorët thonë se kontratat me garanci janë 30% më të larta se viti i shkuar, gjë që i bën të besojnë se do të kemi një sezon të mbarë turistik.

Përpos turistëve të organizuar, ata thonë se presin shumë edhe nga turistët individualë që janë kryesisht kosovarët, maqedonasit dhe italianët.

Tur-operatorët shtojnë se parashikimi bëhet edhe më optimist duke marrë parasysh faktin që sëfundmi Shqipërisë i është shtuar edhe një treg potencial në rritje, që është ai i Lindjes së Mesme dhe kryesisht Emirateve të Bashkuara.

Ky është një treg që përgjithësisht shpenzon sipas Kasës dhe që ka pasur interes por shërbimet për të janë më specifike dhe ne duhet t’u përshtatemi më shumë kërkesave që ata kanë. Ndër të tjera ai thotë se gjatë këtij sezoni turistik pritet që të vijnë edhe turistë franzecë që munguan gjatë pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë