Njerez

Rriten me 46% incidentet online në Shqipëri, për herë të parë raportohen raste në ‘Discord’

Nga Gazeta Si- Rritja e incidenteve online ku përfshihen fëmijë dhe të rinj ka ngritur alarmin për sigurinë në hapësirën digjitale në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 615 raportime, një rritje prej 46% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat u prezantuan në Forumin e 11-të Kombëtar “A janë fëmijët të mbrojtur në hapësirën dixhitale në Shqipëri?”, i zhvilluar në Tiranë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt- iSIGURT.al dhe CRCA Shqipëri.

Vajzat, dy herë më të prekura se djemtë

Sipas raportit kombëtar, vajzat raportojnë incidente në një nivel shumë më të lartë se djemtë, duke përbërë mbi dy të tretat e rasteve. Kjo, sipas organizatorëve, tregon një pabarazi të thellë gjinore në përhapjen e dhunës online.

Forma më e shpeshtë e incidenteve mbetet bullizmi në internet, e ndjekur nga gjuha e urrejtjes dhe denigrimi. Po ashtu, janë raportuar raste të marrjes së fotove pa autorizim dhe hapjes së profileve të rreme.

Nga Instagram te Discord: hapësira të reja rreziku

Rrjetet sociale vijojnë të jenë terreni kryesor ku ndodhin incidentet. Sipas raportit, përveç platformave të zakonshme, gjatë vitit 2025 për herë të parë janë evidentuar raste serioze edhe në aplikacione më pak tradicionale për publikun shqiptar.

Një prej rasteve më të rënda ishte mbyllja e një grupi në Discord me mbi 32 mijë anëtarë, ku shpërndaheshin materiale të paligjshme.

Çfarë është Discord?

Discord është një platformë komunikimi online që lejon përdoruesit të krijojnë grupe të mëdha të quajtura “servera”, ku mund të shkëmbejnë mesazhe me tekst, audio, video dhe materiale të ndryshme. Fillimisht e përdorur kryesisht nga komuniteti i lojërave online, sot ajo është kthyer në një hapësirë të gjerë komunikimi për të rinjtë, me mijëra anëtarë në një grup të vetëm. Për shkak të natyrës së saj gjysmë-private dhe moderimit që varet nga administratorët e grupeve, në disa raste platforma është përdorur edhe për aktivitete të paligjshme ose të papërshtatshme.

Të rinjtë kërkojnë më shumë mbrojtje, jo vetëm ndalime

Në forum morën pjesë dhe të rinjtë në “Debati Rinor”, ku vetë të rinjtë kërkuan më shumë edukim digjital, mekanizma më efikas raportimi dhe mbështetje psikologjike.

Ata theksuan se ndalimet dhe kufizimet nuk mjaftojnë, nëse nuk shoqërohen me informim dhe ndërgjegjësim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë