Sociale

Rriten kërkesat e shqiptarëve për azil, Franca sërish më e preferuara

Pavarësisht se mundësitë e marrjes së statusit të azilantit janë të pakta dhe pavarësisht shqetësimit të ngritur nga Franca, përmes të cilit bllokoi edhe hapjen e negociatave për Shqipërinë, shtetasit shqiptarë që aplikojnë për azil në vendet e Bashkimit Europian është rritur me 14 për qind për muajin shtator në krahasim me muajin gusht.

Të dhënat janë publikuar nga Eurostat. Sipas tyre, janë 1770 kërkesa të reja azili nga shtetasi shqiptarë, 14 për qind më shumë se muaji gusht dhe 21 për qind më shumë në 9 muajt e parë të 2019 në krahasim me të njëjtën periudhë të 2018.

E thënë me shifra, nga janari deri në shtator të këtij vitit kanë aplikuar për herë të parë për azil në vendet e BE-së rreth 15400 shtetas shqiptarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë shifra ishte 12800.

Vendet e preferuara nga shqiptarët mbetet Franca dhe Anglia. Risia është se ka një numër të madh kërkesash edhe në Greqi dhe në Republikën e Irlandës dhe më pak në Gjermani.

Sipas përllogaritjeve të Eurostat, nga totali i aplikimeve të shqiptarëve në muajin shtator, vetëm 6 për qind e tyre morën përgjigje pozitive, ndërsa pjesës tjetër iu refuzua kërkesa.

Kërkesat për azil dominohen nga sirianët, ndjekur nga afganët dhe më pas nga venezuelianët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë