Nga Gazeta Si- Ligji për nëpunësit civil të shkarkuar që fitojnë gjyqet duhet të ndryshohet, sipas Komisioneres për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha.
Në seancën dëgjimore për raportimin e veprimtarisë të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, ajo ka kërkuar që nëpunësve të mos u merret mendimi lidhur me emërimet e tyre në pozicion të barazvlefshëm.
Ajo tha se nëpunësit nuk japin pëlqimin e tyre lidhur me emërimet e reja, duke shtuar se “rrinë në shtëpi e marrin lekët dhe mbase mund të jenë punësuar diku tjetër”.
Ajo sqaron se më 2024 kanë qenë 189 vendime për t’u ekzekutuar por janë ekzekutuar vetëm 55 prej tyre.
“134 janë në listë pritje, paguhen”, tha ajo.
Strakosha theksoi se ka pasur raste kur çështja ka qenë duke u gjykuar dhe vendi i punës nuk ka ekzistuar më pasi institucioni ka kaluar në proces ristrukturimi.
“Kemi ngritur edhe Komisionet e përbashkëta dhe me DAP. Pjesë më e madhe ka qenë në pamundësi objektive për tu emëruar, pasi kemi konstatuar se nuk japin pëlqimin të shkojnë në pozicion të barasvlefshëm dhe marrin lekët. Neni 66/1 është pengesë, nuk është se i jep të drejtë institucionit, ku thotë ke qenë drejtor këtu apo shef sektori, plotëson kriteret si jurist apo ekonomist, do shkosh këtu si shef sektori, nuk e ka lirshmërinë institucioni”, tha Strakosha, duke shtuar se edhe në rastet kur Departamenti i Administratës Publike ka tentuar t’i emërojë, kanë qenë nëpunësit që nuk kanë dhënë pëlqimin pa shkaqe të arsyeshme, duke shkuar në gjykatë ku u është pranuar kërkesa.
“Do detyrimisht ndërhyrje ligjore. Është thënë që të shkojnë në vendin që kanë qenë, por në momentin që çështja ka qenë duke u gjykuar, vendi i punës nuk ka ekzistuar më pasi institucioni ka kaluar në proces ristrukturimi. Duhet hequr kufizimi që i merret mendimi nëpunësit civil dhe duhet vendosur vetëm kufizimi i ligjit. Ndryshoni ligjin”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



