Ngjarje

Rrihen me administratorin, por të dyja palët vihen nën hetim për kanosje

Epo kot nuk thuhet që sherri nuk bëhet dot vetëm. Këtë shprehje siç duket e ka pasur parasysh një oficer policie që kur ka disponuar me marrjen e kallëzimeve të dy palëve kundërshtare, në fund ka firmosur hetimin e të dyja palëve për kanosje të kundërshtarit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit tregojnë për Gazetën “Si” se hetimi për të dyja palët u referua menjëherë sapo patrullat e policisë u nisën me urgjencë në rrugën ‘Prend Bib Doda”. “Policia u njoftua që aty po konfliktoheshin shtetasit H.K. dhe i biri, me palën tjetër E.G. me të vëllain. Siç shpjegon burimi zyrtar i Policisë së Shtetit, kur të dyja palët u dërguan në komisariat, secili u ankua për rivalin se e kishte mbushur kupën dhe se nuk duroheshin më. Të dyja palët dorëzuan kallëzim kundër njëri-tjetrit.

Rrahja

Por nuk bëhet fjalë për një grindje të momentit. Shtetasi H.K. rezulton të jetë zgjedhur nga banorët e pallatit si administrator. Dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, edhe në zgjedhjet më të çfarëdoshme, do ketë përherë një palë që nuk bie dakord ose që nuk pranon të votuarin. Sipas burimit të policisë që citon kallëzimin e tij, shtetasi H.K. tregon se merrej me mirëmbajtjen e pallatit. “Atë ditë dola nga shtëpia, pasi dëgjova zhurmë punimesh. Kam shkuar dhe jam afruar dhe po shikoja çfarë po ndodhte. Aty u kapa nga komshiu E.G. që më gjuajti. Unë bërtita, zbriti edhe familja ime. Pastaj aty u bë rrëmujë, ata goditën edhe djalin tim”.

I biri i administratorit këmbëngul se kishte ndërhyrë për të vendosur paqen kur ishte goditur nga komshinjtë. I riu shton se inatet e vjetra kishin nisur dy vite më parë, kur i ati ishte zgjedhur administrator pallati por E.G. dhe i vëllai nuk kishin qenë dakord.

“U godita me grushte nga administratori. Po zbrisja nga shtëpia dhe pashë që H.K. po shikonte nga dritarja në një ambient që im atë e ka lënë me qira. U afrova dhe e pyeta çfarë po shikon. Ai bërtiti dhe më shtyu. Deshi të hyjë në pronën time dhe normalisht nuk kisha pse ta lejoja. Aty hyri vëllai im që u mundua ta qetësojë. Pa kaluar shumë kohë zbriti dhe i biri i administratorit. Edhe ai filloi të kërcënojë e bërtasë. Në një moment më goditën me grushte dhe ishin veprimet e vëllait tim që tentoi të ulë gjakrat”, thotë i riu.

Pala tjetër e pyetur në një zyrë tjetër të veçuar, ka shtuar version krejt tjetër. Ata e kanë përshkruar administratorin si posesiv: “ai mendon se mund të bëjë ç’të dojë edhe në pronat e të tjerëve, administratori është person konfliktual”.

Pasi i ka dëgjuar për orë të tëra të dyja grupet kundërshtare, oficeri rezulton të ketë firmosur në dosje nisjen e hetimit për të dyja grupet e komshinjve për veprën “kanosje dhe dëmtime me dashje të kryera ndaj njëri-tjetrit”.

Policia vlerëson më tej se veç këtij veprimi i kishte këshilluar më herët komshinjtë gjaknxehtë që nëse kishin pretendime për administrimin e pallatit, t’i zgjidhnin përmes Bashkisë. Por asnjëri nuk e ka dëgjuar këshillën e policëve. Ata i kanë rënë shkurt dhe më pas janë rrahur dhe kjo gjë duket se kësaj radhe i ka “ngritur nervat” oficerit që mendon se të dyja palët janë përgjegjëse, ndaj duhet të hetohen së bashku.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë